Portugalia dhe Franca hyjnë në fushë për ndeshjen çerekfinale të “Euro 2024”, si dy prej favoriteve për ta fituar titullin e kampionit në Gjermani. Shpresohet të jetë ndeshje e jashtëzakonshme mes dy përfaqësueseve që janë të mbushura me superyje të futbollit, por që kanë dështuar të impresionojnë deri më tani në Evropian, sidomos në fazën e sulmit.
Ndeshja Portugali – Francë zhvillohet të premten prej orës 21:00 në Hamburg.
Fushata e Portugalisë në Evropian ishte e mbushur me ngritje e rënie. “Selecao” nisi me dy fitore para se të pësonte humbje shokuese ndaj Gjeorgjisë. I janë dashur penalltitë për ta kaluar Slloveninë në një të tetën e finales, në njërën prej ndeshjeve më dramatike deri më tani në Euro 2024.
Derisa Bernardo Silva dhe Bruno Fernandes gjetën rrugën drejt rrjetës, kapiteni veteran i tyre, Cristiano Ronaldo ka vuajtur para portës. 39-vjeçari po luan në Evropianin e gjashtë, që është rekord. Ai humbi një penallti ndaj Sllovenisë në vazhdime. Pasi iu ndal gjuajtja, Ronaldo shpërtheu në lot.
Ai më pas realizoi në serinë e penalltive, por ka pasur pyetje të shumta nëse Ronaldo e meriton të jetë në përbërjen bazë, marrë për bazë telashet për të shënuar gol.
Sulmuesi i Al Nassr ka bërë goditje më shumë se çdo lojtar tjetër në “Euro 2024”, plot 20, por ka dështuar të shënojë në tetë ndeshjet e fundit në Kampionate Evropiane.
Franca udhëtoi në Gjermani si favoritja kryesore. Por kampionia e dyfishtë e botës po ashtu pati telashe të mëdha në Evropian. Ndër të tjera, lojtarët francezë nuk kanë shënuar ende nga loja e hapur.
Superylli, Kylian Mbappe shënoi nga pika e bardhë pas kthimit, në ndeshjen ndaj Polonisë. Ai theu hundën në ndeshjen e parë, ndërsa mungoi në të dytën. Tani po luan me maskë.
Franca i ka tri gola gjithsej, por dy të tjerët janë autogola të lojtarëve kundërshtarë. Dukshëm më stabile ishte në mbrojtje.
“Kemi stabilitet në mbrojtje, që është vendimtare në këto ngjarje. Po ashtu në ndeshjen e fundit kemi pasur kontroll më të mirë se në ndeshjet e mëparshme dhe më të mirë se kundërshtari. Por interesant është edhe numri i rasteve që kemi krijuar, kurse kemi pasur vështirësi që të jemi efikas para portës. Ishte mjaftueshëm deri më tani, por niveli i garës po rritet”, ka thënë selektori i Francës, Didier Deschamps, në konferencën e mbajtur të enjten mbrëma.
Ai e ka vlerësuar Ronaldon, por ka thënë se Portugalia ka shumë më tepër se vetëm Ronaldo.
“Këto janë ndeshje të nivelit më të lartë. Të dy përfaqësueset kanë lojtarë që mund të bëjnë dallimin. Ka shumë kualitet në këtë ekip të Portugalisë, njëjtë si në ekipin tonë. Portugalia ka një prej ekipeve më të mira në Evropë. Jam i sigurt që do të jetë ndeshje e madhe. Do të jetë çerekfinale e shkëlqyer”, ka shtuar Deschamps.
Ndeshja e së premtes do të jetë përsëritje e finales së “Euro 2016” në Paris, ku Portugalia befasoi nikoqiren duke fituar 1:0 me golin e sulmuesit Eder në kohën shtesë.
Franca po e kërkon titullin e tretë të Evropës, ndërsa Portugalia e kërkon titullin e dytë.
“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, është çerekfinalja. Të gjitha ekipet janë këtu me meritë, pasi bëhet fjalë për përfaqësuese të forta. Janë tetë ekipet më të mira nacionale në Evropë. Do të luajmë ndaj ekipit që gjashtë vjet më parë ishte kampion i botës dhe që luajti tjetër finale në Botëror në Katar. Por ne do të dalim me synimin për të kaluar në gjysmëfinale. Jemi ekip i shkëlqyer gjithashtu”, ka thënë Bernardo Silva.