Euro 2024

Përralla e shkurtër verore e Gjermanisë në “Euro 2024”

Gjermania Euro 2024

Dikur ishte një shtet që për katër javë tregoi anën më të mirë. Një shtet që vendosi për moton “koha për të bërë shoqëri”. Dhe në qershor e korrik të vitit 2006 shteti ishte kozmopolit, i shoqërueshëm dhe argëtues. Shumë tifozë kanë pyetur veten nëse janë të njëjtët gjermanë. Dielli shkëlqeu për një muaj, ndërsa Gjermania u kthye me flamuj me ngjyrat zi, kuq e të artë. Shpirti i mirë dhe euforia ishin prezentë.

Pak a shumë, Kupa e Botës 2006 ishte një përrallë – një përrallë verore, që hyri në historinë gjermane. 18 vjet më vonë, Gjermania u bë gati për ta mirëpritur Kampionatin Evropian 2024. Dhe pasoi pyetja tjetër se a mund të jetë ky Evropian një përrallë tjetër?

Shpresa në tokën e përzier 

Në vitin 2006 nuk kishte pandemi të koronavirusit apo krizë të refugjatëve. Rusia nuk kishte nisur pushtimin e Ukrainës dhe Gjermania nuk kishte përjetuar politikën me partinë djathtiste “Alternativa për Gjermaninë”, që u bë partia më e fortë në gjithë Gjermaninë lindore pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

“Euro 2024” është mbajtur në një vend ku ka nisur të zbehet aspekti social dhe ka ndarje me njëri-tjetrin.

Për këtë arsye, Kampionati Evropian u mbajt në kohën e duhur. Historiani dhe profesori i Universitetit Sportiv në Koeln, Juergen Mittag, e përshkroi këtë si “përrallë e shkurtër verore”.

“Disponimi në Gjermani padyshim se është më pozitiv sesa që ishte para Kampionatit Evropian”, i ka thënë ai mediumit gjerman “DW”. “Për shumë gjermanë, por ndoshta edhe për të ardhurit në këtë vend, Evropiani ka qenë festë në të cilën kanë festuar së bashku. Frika e sigurisë nuk ekzistoi. Është e mundur që gjermanët po ashtu mund të bëhen së bashku sërish”.

Një përzgjedhës si Nagelsmann

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, po ashtu deshi ta kryejë punën e tij. 36-vjeçari dha deklarata pasiononte. Dukej më shumë si burrështetas sesa si trajner. Ai kërkoi bashkim të shoqërisë, duke theksuar se bashkëpunimi mes lojtarëve dhe stafit në përfaqësuese duhet të jetë model për shoqërinë gjermane.

“Futbolli është vendosur në qendër të diskutimeve publike. Kjo do të thotë se edhe një trajner futbolli ka ndikim të madh dhe mund ta përdor rolin dhe pozitën e tij për të promovuar paqe dhe larguar problemet e shoqërisë”, ka thënë Mittag.

“Futbolli dhe sporti në përgjithësi mund të ketë efektin e vet në ndryshime për mënyrën se si mobilizohen njerëzit”, ka shtuar ai.

Gjermania nuk është e përkryer

Një gjë pozitive nga Evropiani ka qenë se shumica e gjermanëve edhe një herë tjetër e kanë përkrahur shtetin e tyre – pavarësisht eliminimit në çerekfinale nga Spanja. Njëzëri ata përkrahën Gjermaninë pas ndeshjes në të cilën kërkuan penallti që do të mund ta bënte diferencën në të mirë të tyre.

Kjo ka treguar se gjermanët humbin bashkë dhe fitojnë së bashku.

Nëse lihen anash fishkëllimat e turpshme të gjermanëve në drejtim të mbrojtësit spanjoll Marc Cucurella në gjysmëfinale kundër Francës, Gjermania ka lënë përshtypje të mirë përgjatë “Euro 2024”.

Stadiumet janë mbushur plot, atmosfera ka qenë fantastike në zonat e tifozëve, ndërsa 22 mijë policë kanë qenë në detyrë. Për t’u kritikuar kanë qenë linjat e trenave si dhe shënjimet vetëm në gjuhën gjermane.

Por në përgjithësi, gjermanët kanë shfaqur nivel të lartë të qytetërimit.