Euro 2024

Pedri e pranon kërkimfaljen e Kroosit

Euro 2024

Euro 2024

Donaueschingen, 7 korrik – Mesfushori i Spanjës, Pedri, e ka pranuar kërkimfaljen e Toni Kroosit për ndërhyrjen e ashpër që e la atë pa Kampionat Evropian në edicionin e sivjetmë. 

Për Pedrin u konfirmua të shtunën se do të mbetet jashtë Evropianit pas lëndimit të rëndë në gju, pas ndërhyrjes nga Kroosi në fillim të ndeshjes çerekfinale ndaj Gjermanisë të premten mbrëma. 

Kroosi publikisht i kërkoi falje të riut të talentuar në llogarinë e tij në Instagram, ndërsa Pedri e ka falënderuar 34-vjeçarin për mesazhin përkrahës. 

“Faleminderit për mesazhin Toni Kroos”, ka thënë 21-vjeçari të dielën në rrjetet sociale. “Ky është futboll dhe këto gjëra mund të ndodhin. Karriera jote dhe sukseset tua do të mbesin përgjithmonë”. 

Pedri u desh të zëvendësohej në minutën e tetë të premten mbrëma, ndërsa Spanja në fund fitoi 2:1 ndaj Gjermanisë. Mikel Merino e shënoi golin e fitores në minutën e fundit të vazhdimeve – kur u asistua nga zëvendësuesi i Pedrit, Dani Olmo, i cili e shënoi golin e epërsisë 1:0. 

Pedri do të mbetet në skuadrën e Spanjës deri në fund të turneut. 

Spanja luan të martën mbrëma kundër Francës në gjysmëfinale të Evropianit, ndërsa pesë ditë më vonë do të luhet finalja me fituese e ndeshjes Holanda – Anglia.  

“Erdha në Gjermani për ‘Euro 2024’ dhe do të vazhdojë këtu, deri në fund, sepse padyshim, ëndrra vazhdon”, ka shkruar Pedri. 

“Këtë javë është koha për t’i mbështetur lojtarët dhe të kontribuojë në një mënyrë tjetër për këtë familje të madhe të Spanjës. Përkrahja e tyre dhe e të gjithëve është shumë e madhe. Momenti më i vështirë ka kaluar dhe rruga para vazhdon. Shpresoj të jem në formën më të mirë fizike me Barcelonën”, ka theksuar Pedri.