Euro 2024

Pas dy Evropianëve, Ajeti pret të luajë për Shqipërinë edhe në Botëror

Arlind Ajeti

Paraqitja e kapitenit Berat Gjimshiti në qendër të mbrojtjes te Shqipëria ishte e padiskutueshme. Pyetja ishte se kush do të paraqitej përkrah tij gjatë Evropianit “Gjermania 2024”.

Ardian Ismajli apo Arlind Ajeti?

Përgjigjen e dinte vetëm selektori Sylvinho.

Dhe përgjigjen e dha më 15 qershor, kur Shqipëria luajti ndeshjen e parë në Evropian. Sylvinho vendosi për Ajetin.

30-vjeçari vlerësohet se e arsyetoi besimin e Sylvinhos. Ai u çmua për paraqitjet stabile në ndeshjet kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Shqipëria e mbylli Grupin B me dy humbje dhe një barazim. Barazoi ndaj Kroacisë, 2:2. Humbi nga Italia, 2:1, ndërsa 1:0 nga Spanja.

“Në radhë të parë kam qenë shumë i lumtur për ftesën që pranova nga trajneri i kombëtares pas lëndimeve që kam pasur në klub. Normalisht çdo lojtar ka dëshirë të luajë. Nga dita e parë e grumbullimit kam shkuar për të dhënë gjithçka për kombëtaren tonë. Për formacion nuk kam menduar, sepse dihet që trajneri është ai që vendos. E imja ishte ta jepja maksimumin dhe atë kam bërë në të gjitha ndeshjet. Do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë”, ka thënë Ajeti të mërkurën për KOHËN.

Mbrojtësi i Clujit rumun ishte prej pak lojtarëve që për herë të dytë ishte pjesë e Shqipërisë në Evropian. Në Evropianin 2016, të cilin Shqipëria e mbylli e treta në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, ishin edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Amir Abrashi dhe Naser Aliji. Berisha, Abrashi dhe Aliji nuk luajtën fare në Gjermani.

Ajeti kishte luajtur dy ndeshje në “Euro 2016”. Në mungesë të ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana, shkaku i suspendimit, Ajeti ishte paraqitur deri në minutën e 85-të përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes në ndeshjen ndaj Francës. Shqipëria e humbi 2:0 atë ndeshje. Luajti edhe në fitoren 1:0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e fundit në grup.

Ajeti thotë se ndjeu emocione të forta në Gjermani.

“Edhe pse ishte hera e dytë, emocionet që i kam përjetuar që nga dita e parë e grumbullit deri në ndeshjen e fundit ndaj Spanjës kanë qenë të njëjta ashtu siç kanë qenë për herë të parë. Ishte speciale për mua. Për secilin lojtar paraqitja në ngjarje të mëdha është e veçantë. Jam shumë i lumtur që kisha rastin të luaja për herë të dytë në Evropian”, është shprehur Ajeti.

Përkundër eliminimit, paraqitja e Shqipërisë ishte tregim suksesi. Tifozët shqiptarë ishin në numër shumë të madh, plot 50 mijë në ndeshjen ndaj Italisë e rreth 40 mijë ndaj Spanjës. Të paktën 20 mijë ishin edhe ndaj Kroacisë.

“Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij Evropiani. Befasi për mua kanë qenë tifozët tanë, të cilët në çdo ndeshje kanë qenë pranë nesh me atmosferë të mirë. Tifozët tanë kanë merituar shumë më tepër, por fatkeqësisht kemi qenë në grupin më të vështirë në Evropian dhe nuk arritëm ta kalojmë grupin”.

Ajeti thotë se nga përvoja në Gjermani kuqezinjtë do të përfitojnë shumë për të ardhmen.

Ai pret të paraqitet me Shqipërinë edhe në Botërorin e vitit 2026.

“Evropiani ka përfunduar, ndërsa tani na presin gara të tjera. Është ëndërr të marr pjesë me Kombëtaren e Shqipërisë në ngjarje të tilla. Me cilësinë e skuadrës që e kemi dhe e cila është duke u bërë edhe më e fortë me talente të reja që vijnë, besoj fuqishëm se mund të marrim pjesë edhe në Botëror”, ka thënë mbrojtësi i qendrës.

Ai lë të kuptohet se nuk e mendon pensionimin nga Kombëtarja. Pas paraqitjes në Evropian, Ajeti pritet sërish të bëjë hap të madh në karrierë në nivel klubesh.

Ai ka luajtur disa vjet në Itali për Frosinonen, Torinon, Reggianan, Padovan e Pordenonen. Karrierë ka bërë edhe në Basel e Grasshopper në Zvicër si dhe te Vejle në Danimarkë. Është paraqitur me shumë suksese edhe në Rumani.

Futbollisti i Clujit ka debutuar për kuqezinjtë në vitin 2014. Për Shqipërinë ka shënuar një gol në 28 ndeshje.