Euro 2024

Nita nuk i dëshiron penalltitë ndaj Holandës

Florin Nita

Portieri i Rumanisë, Florin Nita, ka bërë thirrje që në ndeshjen ndaj Holandës, fitorja të kërkohet brenda 90 minutave. 

Ndeshja Rumania – Holanda luhet të martën në orën 18:00, në stadiumin “Allianz Arena” të Bayern Munchenit, ndërsa i takon fazës së një të tetës së finales në Euro 2024. 

Nita të shtunën ka potencuar se nuk do të ishte i kënaqur nëse ndeshja me Holandën do të shkonte në penallti.

“Unë jam gati për penallti, por penalltitë nuk i dua. Unë dua që ne të fitojmë në 90 minuta dhe kam besim te skuadra. Do të jetë një lojë e vështirë, por nëse e zbatojmë atë që na thotë trajneri dhe marrim vendimet e duhura, shpresoj se mund të marrim rezultat të mirë. Ne duhet të jemi si një mur i verdhë, të jemi të bashkuar. Nëse e bëjmë këtë, ne do të kemi sukses. Holanda ka lojtarë të mirë që luajnë në kampionate të forta. Por përmes forcës së grupit mund ta kalojmë këtë kundërshtar”, u shpreh Nita.

36-vjeçari ishte njëri prej lojtarëve më të mirë të rumunëve në fazën grupore të Kampionatit Evropian. 
Rumania e fitoi Grupin E me katër pikë.