Shqipëria u kthye të martën në shtëpi pasi mbeti e fundit në Grupin B në “Euro 2024”, duke fituar vetëm një pikë. Por ky fakt nuk dëshmon asgjë për kontributin e Shqipërisë për turneun, me betejat pasionante ndaj tri prej përfaqësueseve më të mëdha të Evropianit.
Shqipëria ishte përfaqësuesja e dytë e ranguar më ulët në “Gjermania 2024”. Selektori i saj, Sylvinho, as në ëndrrat më të çmendura nuk ka mundur të imagjinojë se sa mirë do të fillonte Evropiani për të përzgjedhurit e tij. Shqipëria e kishte përballë Italinë, kampionen në fuqi të Evropës.
Pas fishkëllimës së parë, Shqipëria bëri tri pasime. Italianët humbën topin dhe Nedim Bajrami gjuajti fuqishëm për të realizuar gol pas vetëm 23 sekondash. Është goli më i shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane.
Goli solli festë të madhe për mijëra tifozë shqiptarë në Dortmund dhe një moment pavdekshmërie për vendin krenar të Ballkanit.
Italia më pas shënoi dy herë, por Shqipëria bëri presion deri në fund. Iu afrua golit të barazimit në minutat shtesë, duke siguruar duartrokitje nga shumica e tifozëve në stadium dhe duke u prezantuar para botës, ndonëse askush nuk e kishte llogaritur.
Ndaj Kroacisë në ndeshjen e dytë në Grupin B, Shqipëria sërish i bëri krenarë tifozët dhe arriti barazim 2:2. E shënoi golin e barazimit në minutat shtesë, në njërën prej ndeshjeve më të zjarrta të Evropianit deri më tani.
Lojtarët e Shqipërisë ishin më të përmbajtur në ndeshjen e tretë, humbjen 1:0 nga Spanja të hënën mbrëma. Por sërish i dhanë Spanjës momente të vështira.
“Në përgjithësi do ta konsideroja paraqitje pozitive”, ka thënë kapiteni Berat Gjimshiti. “Çdo gjë është e mundur në futboll dhe me pak fat ne kemi mundur të bëjmë edhe më shumë”, ka shtuar mbrojtësi i qendrës.
Sylvinho, që mori brazilianin Doriva dhe argjentinasit Pablo Zabaleta për të punuar përkrah tij, ka folur me emocione se si ekipi i tij i ri dhe i papërvojë është përmirësuar brenda një viti e gjysmë.
“Nëse kthehemi prapa gjashtë muaj, shumë njerëz kanë folur se do të pësojmë tri, katër apo pesë gola në secilën ndeshje. Nuk ishte kështu. Ia dolëm të garojmë ndaj tri përfaqësueseve shumë të mëdha”, ka thënë Sylvinho.
Federata ambicioze e Shqipërisë shpreson se përvoja në Gjermani do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen. Synohen paraqitje tjera në Botërorë e Evropianë.
Në një gjë mund të llogarisin te Shqipëria – përkrahjen e jashtëzakonshme.
Shumë janë befasuar se si shqiptarët dominuan plotësisht ndaj italianëve në tribuna në ndeshjen hapëse. Kjo vazhdoi edhe në dy ndeshjet tjera, me thirrjet e zëshme dhe ngjyrat kuq e zi.
Disa erdhën nga Shqipëria, por shumica nga diaspora mbarëshqiptare.