Euro 2024

Nëna pastruese, babai kamerier – rruga e yllit të ri të Zvicrës që refuzoi Ganën

Kwadwo Duah

“Jo të gjithë në Evropë e njohin atë”, tha selektori i Zvicrës, Murat Yakin, pas fitores ndaj Hungarisë për Kwadwo Duah.

Pak javë më parë vështirë se dikush e ka pasur në radar 27-vjeçarin. Por tani ai është shpresë ofensive e gjithë Zvicrës.

Por kush është njeriu që i fiton paratë në Ludogorets Razgrad në Bullgari?

Duah është i lindur në Londër në vitin 1997, ndërsa prindërit i ka nga Gana. Tre vjet më pas familja e tij lëvizi për në Zvicër. Familja Duah u vendos në Bernë. Babai i Kwadwos gjeti punë si kamerier dhe më pas punoi në fabrikë të mishit. Nëna e tij punoi si pastruese dhe bashkë me babanë u kujdesën që Kwadwo dhe tre fëmijët e tjerë të rriten në kushte solide. Familja e futbollistit ende jeton në vend të njëjtë.

Futbolli ishte fokusi i tani reprezentuesit të Zvicrës nga mosha e hershme. Pasi luajti fillimisht në klubet lokale, AS Italiana dhe FC Bethlehem, Duah iu bashkuar Young Boysit në moshën 10-vjeçare. Kaloi të gjitha grupmoshat në këtë klub deri te seniorët. Lojtari ofensiv shënoi golin e parë në ndeshjen e tretë me ekipin senior të Young Boysit, në tetor 2016. Por shpërthimi i tij tek Young Boys nuk ndodhi asnjëherë. Kishte periudha huazimi në kategorinë e dytë te skuadra si Xamaxi, Winterthuri e Servette.

Te Wili i shënoi 17  gola në 35 paraqitje në një edicion të kategorisë së dytë zvicerane. St. Galleni e ktheu në Superligë më pas. Te kjo skuadër vazhdoi përparimin dhe u transferuar te Nuernbergu i Bundesliga 2 në vitin 2022. Më pas iu bashkua klubit kryesor në Bullgari, Ludogoretsit.
Duah nuk ishte opsion për Zvicrën për kohë të gjatë. Ai ka mundur të luajë për Ganën dy vjet më parë. Por ka refuzuar të luajë për vendin e prejardhjes.

“Jam rritur në Zvicër. Jam nga Berna, por jo i ngadalshëm si reputacioni i qytetarëve të Bernës”, tha ai në një intervistë. 

Në Evropian filloi furishëm dhe tani është shumë më i njohur në botën e futbollit. Ai realizoi golin e parë në fitoren e Zvicrës ndaj Hungarisë. Ishte vetëm ndeshja e dytë për Zvicrën.
“Ende po ëndërroj. Ndeshja e dytë, goli i parë. Po shpërthej nga brenda”, ka thënë Duah pas ndeshjes me Hungarinë. 

Me 27 vjet ai po shpërthen në skenën e madhe relativisht vonë. Nëse paraqitet si ndaj Hungarisë edhe në ndeshjet e tjera të Zvicrës, Duah shpejt mund të transferohet në top-ligat evropiane.