Euro 2024

Ndeshje të forta, fytyra të reja dhe shumë befasi – Evropiani gjithnjë e më garues

Ndeshje të forta, fytyra të reja dhe shumë befasi – Evropiani gjithnjë e më garues

Ishte një udhëtim emocionues deri në finale të “Euro 2024”. Rezultatet kanë nxjerrë në pah një garë gjithnjë e më të barabartë në futbollin evropian dhe shenja të mëtejshme se ngjarja po u ofron më shumë mundësi përfaqësueseve për të lënë gjurmën e tyre.

Spanja dhe Anglia takohen në finalen e së dielës në Berlin. Të dy përfaqësueset e mëdha fituan 2:1 në gjysmëfinale. Spanja e mposhti Francën, ndërsa Anglia fitoi ndaj Holandës.

Dani Olmo shënoi golin e fitores për Spanjën, ndërsa Ollie Watkins realizoi për fitoren e Anglisë. Madje Watkins shënoi në minutat shtesë, derisa të dy gjysmëfinalet kishin dozën e tensionit.

Ndeshjet e forta të fazës nokaut pasuan një fazë grupore jashtëzakonisht garuese. Debutuesja e Evropianit, Gjeorgjia, kaloi në një të tetën e finales. Sllovenia gjithashtu arriti për herë të parë në fazën nokaut, ndërsa Rumania u kthye në këtë pikë për herë të parë që nga viti 2000.

Këto kualifikime dëshmojnë se si Evropiani me 24 përfaqësuese, i prezantuar në vitin 2016, ka rritur shumëllojshmërinë e ekipeve që garojnë në nivelin më të lartë, duke mbajtur njëkohësisht nivelin e ngjarjes. 

Në vitin 2016, Uellsi arriti në gjysmëfinale, ndërsa Islanda debutuese e kaloi grupin e më pas e eliminoi Anglinë favorite në një të tetën e finales.

Ndërkohë Danimarka arriti deri në gjysmëfinale në “Euro 2020”. Edhe mundësia që përfaqësueset e vendit të tretë të kualifikohen në fazën nokaut bën që më shumë përfaqësuese të kenë për çka të luajnë deri në fund dhe u jep disa përfaqësueseve, të vlerësuara më të vogla, një shans të madh për të avancuar në turne, shkruan faqja zyrtare e UEFA-s.

Në “Euro 2020”, 23 prej 24 përfaqësueseve kishin për çka të luftonin në ndeshjen e fundit në grup. Në Gjermani, në “Euro 2024”, vetëm Polonia ishte pa gjasa pa nisur xhiroja e tretë.  

Në “Euro 2024”, rezultatet ishin shumë të ngushta. Kjo është tjetër dëshmi se konkurrenca po rritet. Diferenca mesatare e fitores në “Euro 2024” ishte vetëm 1.08 gola, më e ulëta që nga edicioni me tetë skuadra i vitit 1992. Në “Euro 2024” dallimi mesatar në fitore ishte 1.39 gola. Ky nuk është rezultat vetëm i ndeshjeve të forta në fazën nokaut. Diferenca mesatare e fitores në fazën e grupeve ishte 1.03 gola.

Të gjitha 24 përfaqësueset morën të paktën nga një pikë. Dallimi mesatar në mes të parit dhe të katërtit në grup ishte 4,5 pikë. Është kjo mesatarja më e ulët që nga “Euro 1996”. 

Prej të gjitha gjysmëfinalisteve, vetëm Spanja i fitoi të gjitha ndeshjet e fazës grupore. Holanda kishte humbur ndaj Austrisë, ndërsa Anglia e Franca e kishin vetëm nga një fitore në grupe.

Zgjerimi i Evropianit ka ndihmuar në synimin e vazhdueshëm të UEFA-s për të rritur konkurrencën në të gjithë futbollin evropian. Liga e Kombeve jo vetëm që ofron rrugë shtesë për kualifikim në Evropian, por mundëson ndeshje të rregullta garuese për disa vende të vogla të Evropës, që kanë pasur vështirësi për t’i arritur ato. Këto ndeshje janë thelbësore për rritjen e cilësisë dhe nxitjen e interesimit. Suksesi i Gjeorgjisë ofron rastin e fundit në periudhën e zhvillimit në të cilën Liga e Kombeve luan rol të rëndësishëm.