Për sulmuesin Alvaro Morata, Kampionati Evropian “Gjermania 2024” mund të jetë turneu i fundit me Spanjën. Morata të hënën në një intervistë për “El Mundo Deportivo” ka treguar se është duke menduar që pas përfundimit të “Euro 2024” të tërhiqet nga përfaqësuesja e Spanjës.
“Mund të jetë turneu im i fundit me Spanjën. Është një mundësi për të cilën nuk dua të flas shumë, por është e mundshme. Në Spanjë është e vështirë për mua të jem i lumtur. Pa dyshim jam më i lumtur jashtë Spanjës. E kam thënë shumë herë. Mbi të gjitha, sepse njerëzit më respektojnë. Në Spanjë nuk ka respekt për asgjë dhe askënd”, u shpreh Morata.
Sulmuesi i Atletico Madridit është pjesë e Spanjës nga vitit 2014. Debutimin e bëri ndaj Bjellorusisë. Ai ka 78 ndeshje të zhvilluara dhe 36 gola të realizuar.
Morata është kapiten i Spanjës në “Euro 2024”. Në pesë ndeshje të zhvilluara ka shënuar një gol.