Euro 2024

Momenti i frikshëm që u kthye në forcë të hungarezëve

Hungaria

Jeta mund të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër. Asgjë mund të mos jetë si përpara e madje çdo gjë mund të përfundojë. Barnabas Varga, sulmuesi 29-vjeçar i Ferencvaroshit dhe Hungarisë, është djalosh trim. E fut kokën edhe aty ku ka rrezik. Nuk tërhiqet kur gjërat bëhen shumë të rrezikshme.
Me stilin e tij të lojës, Varga u bë dy herë golashënuesi më i mirë i kampionatit elitar të Hungarisë. Është golashënues i hatashëm. Është edhe golashënues në “Euro 2024”. Realizoi në humbjen 3:1 të Hungarisë nga Zvicra.

Varga vonë ka prekur nivelet serioze të futbollit. Ishte në ligën rajonale të Austrisë për shumë vjet. Pakkush ka mundur të besojë se ai do të ketë karrierë ndërkombëtare. 

Por ndonjëherë mrekullitë ndodhin. Në vitin 2022 ai shpërtheu, u bë golashënuesi më i mirë i Hungarisë në Paks, u transferua te Ferencvaroshi në verë dhe më pas vazhdoi të shënojë gola për kampionin hungarez. 

Të dielën mbrëma ai pati një rast të rëndë. Vetëm pamjet nga afër tregojnë forcën e goditjes që Varga e pësoi në fytyrë. Goditje që ia theu disa eshtra dhe ia tronditi trurin. 

Sulmuesi ishte pa ndjenja në ajër, goditi tokën dhe mbeti i palëvizshëm në fushë. Tifozët dhe lojtarët kuptuan që diçka e tmerrshme sapo kishte ndodhur.

Menjëherë në mendjen e të gjithëve ishte rasti i Christian Eriksenit, që pësoi arrest kardiak në Evropianin e kaluar në ndeshjen e Danimarkës ndaj Finlandës. Ekipet mjekësore ishin angazhuar për shumë minuta për ta mbajtur Eriksenin në jetë. 

Erikseni ishte rrethuar nga lojtarët dhe një rrethojë që skena e frikshme të mos  shihej nga shikuesit në stadium dhe teleshikuesit. Kjo tashmë po ndodh vazhdimisht kur ka ndonjë rast të rëndë.
Erikseni po luan sërish dhe po udhëheq danezët në Evropian.

Edhe Varga i shpëtoi vdekjes. Ai u largua nga fusha me barelë dhe u dërgua në spital në Stuttgart. Pas disa minutash në ankth, lojtarët dhe trajnerët e Hungarisë kuptuan se ajo që i frikësoheshin më së shumti nuk kishte ndodhur.

Pas rastit të rëndë, shumë do të mendonin që ndeshja e Hungarisë ndaj Skocisë, që vazhdoi pasi Varga u nis për në spital, ishte pak e rëndësishme. Por kjo nuk është e vërtetë. U bë gjëja më e rëndësishme për të gjithë hungarezët.

Shumë të emocionuar nga rasti i rëndë, hungarezët në fushë luftuan shumë dhe shënuan golin e fitores në minutën e 100-të. Kështu Vara ishte fitues i ndeshjes, së bashku me lojtarët e tjerë. Fanella e tij u ngrit lart në festën e golit.

Skena ishte emocionale gjatë festës. Të gjithë lojtarët përqafuan njëri-tjetrin dhe tani me tri pikë shpresojnë të avancojnë nga faza grupore.

Sulmuesi nuk do të jetë më në gjendje të luajë, edhe nëse Hungaria mbetet në Evropian. Por Varga mund të motivojë bashkëlojtarët që ta kthejnë dramën në fat, me një përfundim shumë të lumtur.