Një organizatë që lufton diskriminimin në futboll dhe angazhohet për gjithëpërfshirje ka denoncuar Federatën e Futbollit të Kroacisë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për racizëm e diskriminim. Këtë e ka bërë të ditur të premten mbrëma gazeta e madhe kroate, Sportske Novosti.
UEFA tashmë ka hapur hetimet, ndërsa FSHF-ja dhe federata kroate pritet të dënohen. Bëhet fjalë për thirrjet “mbyte serbin” të dëgjuara gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri në Euro 2024.
Sipas gazetës kroate thirrjet janë bërë nga tifozët shqiptarë të vendosur pas njërës portë, ndërsa atyre u janë bashkuar edhe pak kroatë. Dhe pikërisht në përfshirjen e pak kroatëve do të bazohet mbrojtja e federatës kroate.
“Mendoj se jemi objektivë të themi që kjo nuk është dëgjuar qartë nga tifozët tanë, ndonëse jemi të vetëdijshëm se sa çështje e vështirë është në aspektin politik dhe në aspektet tjera. Kur ka ndodhur më herët, kemi qëndruar burrërisht dhe e kemi pranuar. Tani nuk do të lejojmë askënd të na atribuojë”, ka thënë shefi i departamentit për parandalim dhe siguri në federatën kroate.
Pra federata kroate nuk e pranon përgjegjësinë për thirrjet që po hetohen nga UEFA. Dhe rrjedhimisht barra rrezikon të bie mbi FSHF-në. Delegati i ndeshjes nuk ka raportuar racizëm dhe diskriminim.
Por këtë e ka bërë organizata FARE, që lufton diskriminimin.
Natyrisht, edhe reagimi i serbëve ishte shumë i fuqishëm. Federata serbe ka kërkuar nga UEFA masa të ashpra.