Portieri hungarez, Gabor Kiraly, është lojtari më i vjetër që është paraqitur në Kampionatin Evropian të futbollit. Ai theu rekordin kur u përfshi në ekipin startues të Hungarisë për ndeshjen ndaj Belgjikës në një të tetën e finales në “Euro 2016”.
Por rekordi unik i Kiralyt rrezikohet nga veterani portugez Pepe. Mbrojtësi i qendrës do të ketë moshë prej 41 vjet e 113 ditë, kur Portugalia takohet me Çekinë në xhiron e parë të fazës grupore në “Euro 2024”.
Kiraly mban rekordin me 40 vjet e 86 ditë. I veçantë edhe për veshjen e tij gjatë ndeshjeve, Kiraly shquhej edhe me paraqitje në fushën e blertë. Pritja që i bëri Kevin De Bruynes nga gjuajtja e lirë në atë ndeshje me Belgjikën u votua si më e mira e edicionit 2015/16 nga UEFA.
Duke përjashtuar portierët, më i vjetri që luajti ndeshje në Evropian ishte ikona gjermane, Lothar Matthaeus. Kur e luajti ndeshjen e 150-të dhe të fundit për Gjermaninë, Matthaeus i kishte 39 vjet e 91 ditë. Bëhet fjalë për ndeshjen ndaj Portugalisë në “Euro 2000”.
Ivica Vastiq është më i vjetri që ka shënuar gol në Evropian. Kur realizoi për Austrinë ndaj Polonisë në “Euro 2008”, Vastiqi i kishte 38 vjet e 257 ditë.
Më i vjetri që është paraqitur në finale sërish është portier. Bëhet fjalë për gjermanin Jens Lehman që i kishte 38 vjet e 232 ditë në finalen e “Euro 2008”. Atë finale e fitoi Spanja.
Një tjetër emër i madh i futbollit është më i vjetri që ka realizuar gol në finale të Evropianit. Italiani Leonardo Bonucci i kishte 34 vjet e 71 ditë, kur shënoi golin ndaj Anglisë në finalen e “Euro 2020”.
Me lojtarët yje që po luajnë gjithnjë e më gjatë, shumë prej këtyre rekordeve nuk do të qëndrojnë edhe shumë. Një pjesë e mirë do të ndryshojnë në Gjermani.