Në ndeshjen e parë të “Euro 2024”, sulmuesi i ri i Real Madridit Kylian Mbappe pësoi një lëndim. Ai e theu hundën në një përplasje me mbrojtësin Kevin Danso në ndeshjen ndaj Austrisë.
Mbappe nuk vendosi që të operohej, por ai në ndeshjet e radhës të Francës do të paraqitet me maskë. Në ndeshjen e dytë të grupit D, ndaj Holandës, Mbappe nuk ishte i gatshëm që të paraqitej. 25-vjeçari pritet të mungojë edhe ndaj Polonisë.
Të dielën përzgjedhësi i Francës Didier Deschamps në konferencë për shtyp është shprehur se nuk është e sigurt paraqitja e Mbappes ndaj Polonisë.
“Do ta shihni nëse luan apo jo, por gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, ai po rikuperohet nga goditja, mavijoset po pakësohen çdo ditë dhe ai do të mësohet me maskën e tij. Ai po bën mirë”, tha Deschamps.
Në konferencë për shtypë ishte edhe mesfushori Aurelien Tchouameni që tha se Mbappe dëshiron që të luaj pa maskë, por vendimi i mbetet stafit mjekësor.
"Unë mendoj se ai dëshiron të luajë ndeshjen e ardhshme. Ai mund të dëshirojë të luajë pa maskë, por mjeku nuk do t’i japë atij zgjedhjen”, ka thënë Tchouameni.
Franca të martën do të përballet me Poloninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në “Euro 2024”.