Portieri Mike Maignan është një nga lojtarët kryesorë të Francës në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
Për më shumë se një dekadë, Hugo Lloris ishte portieri i parë i Francës. Ai është futbollisti me më së shumti paraqitje për përfaqësuesen franceze.
Vendin e Llorisit pas pensionimit nga Përfaqësuesja e Francës, e ka zënë portieri i Milanit dhe ai e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë një gjë të tillë.
Portieri 28-vjeçar ka marrë vlerësime pozitive nga bashkëlojtarët.
“Ai ka shumë kualitet, është shumë karizmatik dhe është i lindur për të qenë lider. Kur ai flet, të gjithë dëgjojnë dhe këshillat e tij janë gjithmonë pozitive”, është shprehur Aurelien Tchouameni.
Ndërsa kapiteni i Francës Kylian Mbappe ka theksuar se Maignan ka mësuar shumë nga Llorisi.
“Mendoj se ka mësuar nga Hugo Llorisi. Nuk është kurrë e lehtë ta zëvendësosh një legjendë. Tani Majk është numri një dhe këtë po e shfaq”, shtoi sulmues i ri i Real Madridit. Për selektorin Didier Deschamps, portieri i Milanit është lider për mbrojtjen.
“Ai është i fortë, ndihet i fortë, është lider për mbrojtjen. Do të na duhet për t’u paraqitur në nivel të lartë”, ka thënë Deschamps.
28-vjeçari ka 19 ndeshje të zhvilluara për Francën.