Euro 2024

Latifi dhe Hashani thonë se në “Euro 2024” Sylvinho ishte ndryshe prej kualifikimeve

Driton Latifi - Erdin Hashani

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka dalluar me paraqitjet në Kampionatin Evropian “Euro 2024” nga paraqitjet e tij dhe Shqipërisë në kualifikimet për Evropian, kanë vlerësuar gazetari i sportit Driton Latifi dhe trajneri i futbollit Erdin Hashani.

Sylvinho ende nuk e ka vazhduar kontratën me Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo kontratë skadon për pak ditë. Të premten u raportua se ai ka marrë oferta nga një klub në Portugali, ndërsa për mediat në Shqipëri ka thënë se është në pushime.

Duke komentuar këtë situatë rreth Kombëtare së Shqipërisë dhe Sylvinhos, Latifi e Hashani kanë thënë se trajneri tani ka ambicie më të mëdha për veten. Në  “Interaktiv” të KTV-së, ata janë shprehur se Sylvinho në “Euro 2024” nuk pati guximin e mjaftueshëm.

“Sylvinho i kualifikimeve dhe i Evropianit kanë dalluar në aspektin profesional. Vendimet e Sylvinhos brenda ndeshjeve, jashtë tyre dhe kontingjentit duke lënë edhe pakënaqësi të disa lojtarëve që ishin pjesë e kualifikimeve, si Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli, janë disa nga ‘çarjet’ që kanë ndodhur në aspektin e menaxhimit”, ka thënë Latifi teksa ka shtuar se kjo situatë e kombinuar me ambiciet e trajnerit për karrierë të madhe kanë sjellë te situata që ai të mendohet më shumë për të ardhmen.

“Misioni i tij te kombëtarja është trampolinë. S’është pikë afatgjate. E ka arritur suksesin. Mund të jetë aspekt i llogaritjes së brendshme se këto të çarat do të jenë situatë e re për t’i menaxhuar nëse mbetet”, ka thënë ai duke shtuar se “mbetja e Sylvinhos te Shqipëria, sa duket afër, aq është edhe larg”.
Sipas Latifit, po që se mbetet te Shqipëria, Sylvinho duhet të ketë ambicie kualifikimin në Botëror. 

Hashani në anën tjetër ka thënë se suksesi i kualifikimit të Shqipërisë në “Euro” e bën më të lehtë për Sylvinhon kalimin në një hap më të lartë në karrierë.

“Ka pasur sukses. Kur skadon kontrata i shikon ofertat më të mira sepse ka pasur sukses. Ka marrë oferta... Por mos të harrojmë që nuk e dimë gjendjen brenda kombëtares”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, po që se Sylvinho do të tregonte guxim më shumë në fazën e grupeve në “Euro 2024”, “Shqipëria do të mbërrinte më shumë”.

“Ai ka funksionuar që të mos humbim me rezultate të thella, për nevoja personale”, ka deklaruar Hashani.

Shqipëria u eliminua nga “Euro 2024” në fazën e grupeve. Përfundoi e katërta në Grupin B. U mposht nga Italia në fillim, pastaj barazoi me Kroacinë e në xhiron e fundit pësoi edhe nga Spanja.

Faza e 1/8 së finales

Për ndeshjet e para të 1/8 së finales të shtunën, të dy kanë thënë se ka ardhur koha që Zvicra ta eliminojë Italinë, pavarësisht se kanë vlerësuar se Italia shkon gjithmonë duke u ngritur në lojë në evenimente të mëdha.

Hashani ka thënë se nuk pret që ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri të nisë nga fillimi ndeshjen ndaj Italisë. Hashani ka thënë se problemi te Zvicra janë gjithmonë minutat e fundit, ndërsa te Italia ka vlerësuar se vija e sulmit është dobësia, por se mund të rrezikojë nga ndërprerjet.

Për ndeshjen tjetër Danimarkë-Gjermani, Latifi ka deklaruar se presioni do të jetë te gjermanët. “Besoj se do t’ia dalë Gjermania, por do të sfidohet”, ka thënë ai.