Për herë të parë në histori, Kroacia nuk e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes në stadiumin ku luhet ndeshja. Në vend se të ushtrojë në “Volksparkstadion” në Hamburg, ku të mërkurën prej orës 15:00 takohet me Shqipërinë, Kroacia të martën stërvitjen e zhvilloi në kampin e saj në Neuruppin.
Sipas mediumit kroat “germanijak.hr”, federata kroate mori të gjitha masat që askush mos të ketë qasje në stërvitjen e udhëhequr nga selektori Zlatko Daliq. 15 minutat e parë ishin të hapura për media, si të gjitha stërvitjet tjera, e më pas kroatët kanë ushtruar të qetë, larg syve të të interesuarve dhe spiunëve eventualë.
Vetëm pas stërvitjes kroatët janë nisur për në Hamburg ku zhvillohet ndeshja.
Priten ndryshime në formacionin e Kroacisë. Sipas mediave kroate, ndryshimet priten në mbrojtje dhe në mesfushë. Kroacia në ndeshjen e parë pësoi 3:0 nga Spanja. Ndeshja me Shqipërinë vlerësohet finale për kroatët.