Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, disa herë ka përsëritur të martën pasdite në konferencë për shtyp se kuqezinjtë do të mësojnë shumë nga grupi i fortë në të cilin garojnë në Euro 2024.
Tekniku brazilian ka vlerësuar se Shqipëria luajti mirë ndaj Italisë, ndonëse u mposht 2:1. Ai ka treguar se të gjithë lojtarët janë në dispozicion për ndeshjen e dytë në Euro 2024.
Të mërkurën prej orës 15:00 në Hamburg takohen Kroacia e Shqipëria. Edhe Kroacia e humbi ndeshjen e parë, 3:0 nga Spanja.
Por Sylvinho ka vlerësuar se kroatët luajtën shumë mirë në atë ndeshje.
“Grupi është shumë i fortë. Por mendoj që është gëzim shumë i madh që jemi këtu, që luajmë me ekipet më të mira. Mësojmë në ndeshjet ndaj tyre. Në futboll megjithatë është çdo gjë e mundur. Është gjë e mrekullueshme që luajmë kundër këtyre përfaqësueseve. Kemi shumë gjëra për të mësuar. Dhe ne nuk heqim dorë asnjëherë, për 90 minuta, në kohën shtesë”, ka thënë Sylvinho që ka përmendur klubet më të mëdha në të cilat luajnë lojtarët e Italisë e Kroacisë.
Sylvinho ka vlerësuar faktin se Kombëtarja ishte deri në fund në lojë ndaj Italisë dhe që ka mundur të barazojë.
“Ndoshta neser do të fitojmë, kush e di. Por do të jemi aty për të luajtur. E kemi studiuar Kroacinë. Ka humbur 3:0, por ka luajtur shumë mirë dhe kishte mundësi shumë të mira për të shënuar. Ishte ndeshje shumë e mirë dhe Kroacia kishte raste shumë të mira. Kroacia ka shumë cilësi, aftësi teknike, aftësi pasimi, pra cilësi shumë të larta. Ka pasur edhe posedim të mirë të topit. 3:0 nuk ishte fitore e lehtë e Spanjës”.
Sylvinho ka vlerësuar edhe lojtarët që i ka nën urdhëra. Thotë se te Shqipëria është bërë një kombinim i mirë i lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë.
“Do të shohim drejt të ardhmes. Nuk është që ne nuk e kemi sulmuar Italinë. Nuk na ka lejuar ta sulmojmë. Është bllokuar shumë mirë. Kemi sulmuar me tre, kurse Italia kishte shumë lojtarë në mbrotje dhe mesfushorë që ktheheshin mbrapa. Italia është mbrojtur shumë mirë. Dhe ky kompeticion ka nivel shumë të lartë, futboll të nivelit shumë të lartë”, thotë Sylvinho.
Ai e ka vlerësuar mesfushën si repartin më të fortë të Kroacisë. Ka thënë se mesfusha është zemra e ekipit kroat.
“Duhet të bëjmë më të mirën që mundemi. Mund të bëjmë shumë, edhe pse është sfiduese. Duhet të shfrytëzojmë përvojën dhe të rritim nivelin tonë. Duhet të përgatitemi shumë mirë për sfidën në mesin e fushës, por edhe në pjesët tjera të fushës. Por në mesin e fushës është zemra e skuadrës së Kroacisë dhe do të jetë sfidë për ne”, ka thënë Sylvinho që vazhdimisht i është kthyer ndeshjes me Italinë
Në konferencë për shtyp u paraqit edhe kapiteni Berat Gjimshiti. Ai ka pranuar se Kroacia është favorite. Kroacia ishte e treta në Botërorin e vitit 2022 dhe e dyta në Botërorin 2018.
“Kroacia është në rolin e favorites. E kemi parë ndaj Italisë se në këto ndeshje të vështira duhet të kesh përqenderimin për më shumë se 90 minuta. Çdo gabim të vogël do ta bëjnë një gol dhe do ta ndryshojnë lojën. Këtë duhet të përmirësojmë dhe të bëjmë çdo gjë për t’u paraqitur mirë ndaj Kroacisë”, ka thënë Gjimshiti.
Mbrojtësi i qendrës ka thënë se lojtarët e Shqipërisë është dashur të jenë inteligjentë dhe të ndalin hovin e Italisë. Por këtë nuk e kanë bërë.
“Duhet të jemi edhe inteligjentë dhe të dimë të ndalim ritmin e kundërshtarit. Është një gjë që duhet të përmirësohet dhe besoj që e kanë kuptuar të gjithë. Nuk duhet të jesh vetëm i bukur në fushë, por edhe pak i pistë dhe të marrësh atë që meriton”, ka theksuar Gjimshiti.
Për ndeshjen e së mërkurës, Gjimshiti ka theksuar se do të jetë mundësi e mirë për të reaguar, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia.
“Do të jetë mundësi për të reaguar, kështu që do të jetë ndeshje e vështirë. Si për ne si për ata. Edhe ata do të tentojnë më të mirën dhe të shohim si do të shkoj nesër”, ka theksuar Gjimshiti.
Ka gjasa të mëdha që Sylvinho të bëjë ndryshime në formacion. Taulant Seferi, Elseid Hysaj dhe Arlind Ajeti mund të jenë lojtarët që do të zëvendësohen.