Euro 2024

Kroacia në telashe, Daliq vlerëson Shqipërinë

Kroacia - Euror 2024

Në Kroaci është pritur shumë rëndë humbja 3:0 nga Spanja, të shtunën në kuadër të Grupit B të “Euro 2024”. Kritikat ndaj selektorit Zlatko Daliq janë të shumta, ndërsa paraqitja e tij në konferencë për shtyp të dielën vetëm e ka rënduar gjendjen.

Kroacia e kishte një penallti të humbur, ndërsa Daliq ka thënë se Bruno Petkoviq nuk është dashur ta gjuante atë. Madje sipas selektorit kroat, Petkoviq është dashur të realizoi gol në rastin që kishte, e që solli penalltinë më pas.

“Petkoviqi nuk është dashur të gjuaj, pasi është rregull që lojtari që e siguron penalltinë nuk gjuan. Nëse ne në stol nuk kemi mundur të zgjedhim këtë, ka hierarki në ekip dhe ai nuk është dashur të gjuaj penalltinë. Nuk ka aty marrje të përgjegjësisë dhe unë do të zgjidhi këtë. Është dashur të gjuaj Perishiqi apo Majeri”, ka thënë Daliq në konferencë për shtyp, të dielën.

Ai ka treguar se ka parë incizimin e ndeshjes së Italisë me Shqipërisë.

Shqipëria është kundërshtarja e radhës e Kroacisë. Ndeshja Kroaci – Shqipëri zhvillohet të mërkurën nga ora 15:00 në Hamburg.

“Ishin shumë të barabartë, madje Shqipëria ka mundur të barazojë. Nuk guxojmë ta nënçmojmë. Shqiptarët kanë përkrahje dhe ambicie, kanë energji me selektorin e ri. Nuk ishim shumë më të dobët se Italia, që kishte posedim dhe ka kontrolluar ndeshjen. Nuk janë shqiptarët as afër spanjollëve, nuk guxojmë t’i nënçmojmë, por e gjitha është te ne. Do të kemi edhe ne dominimin, duhet të dimë të vendosim atë ndeshje. Duhet të vendosemi si fitues”, ka theksuar Daliq.

Zlatko Daliq u ka kërkuar falje tifozëve, ndërsa ka thënë se në Berlin ishin 100 mijë tifozë kroatë. Ai ka përsëritur se synim i Kroacisë mbetet kalimi i grupit. Ka paralajmëruar ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Luka Modriq e Mateo Kovaçiq u zëvendësuan në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Spanjës, ndërsa Daliq thotë se këtë e ka bërë që t’i pushojë për ndeshjen me Shqipërinë.

Mediat kroate kanë shkruar se ylli Modriq ishte shumë i pakënaqur gjatë ndeshjes, si asnjëherë më parë.

“Do të analizojmë veten dhe Kroacinë. Do të tentojmë të bëjmë diçka ndryshe në atë ndeshje, e ajo do të thotë shumë për ne. Duhet të fitojmë dhe do të përgatitemi ashtu dhe do të bëjmë ndryshime. Nuk mund të flas ende për detaje, por duhet t’i ndryshojmë disa gjëra në qasje që nuk ishte e duhura. Dy ndeshje janë para nesh. Çdo gjë është në dorën tonë, nuk guxojmë të humbim energjinë. Ndodhi dhe ecim tutje”, ka thënë Daliq.

Në mediat kroate ka pasur komente të shumta lidhur me humbjen dhe deklaratat e Daliqit.

“Në vend se të pranojë përgjegjësinë për humbje, Daliqi e dërgoi fokusin te Petkoviqi”, është titulli i një analize në sajtin “index.hr”.

“Daliqit nuk i duhej kjo. Diçka nuk shkon në marrëdhëniet brenda përfaqësueses. Pasi doli me emra, mund të kishte përmendur edhe disa lojtarë të tjerë”, shkruan “Sportske Novosti”.