Sulmuesi i Francës, Randal Kolo Muani, nuk e kishte marrë shumë parasysh vështirësinë nëpër të cilën Kylian Mbappe, me mbajtjen e maskës mbrojtëse në “Euro 2024”, derisa e provoi vetë.
“Me të vërtetë nuk sheh asgjë”, ka thënë Kolo Muani të dielën. “Asgjë”, shtoi ai.
Me hundë të thyer dhe i detyruar për vendosjen e maskës për ta mbuluar vendin e dëmtuar, është tregues i qartë pse Mbappe ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshje të Kampionatit Evropian, dhe atë nga penalltia.
Kolo Muani të dielën në konferencën për shtyp të Francës të mbajtur në kampin stërvitor në Paderborn të Gjermanisë, e ka përkrahur Mbappen për aftësinë e liderit. Ai ka shtuar se ende ka kohë për Mbappen që ta bëj diferencën në “Euro 2024”.
Franca luan kundër Spanjës në Munich në gjysmëfinale të martën.
“Ai këtë rol e ka të natyrshëm”, ka thënë Kolo Muani për 25-vjeçarin Mbappe, që është kapiten i skuadrës. “Ai e ka dhuntinë të jetë bartës i ekipit, grupit. Ai jep ide dhe i këshillon lojtarët. Ai është i lindur për këtë. Ai u lind për të qenë udhëheqës i grupit para”.
Mbappe po ashtu ka pasur edhe telashe fizike për të cilat ai beson se nuk do të qartësohen deri kur ta nis sezonin me klubin e ri, Real Madridin, ka shkruar të dielën “Associated Press”.
Kolo Muani beson se edhe kur Mbappe nuk është në formën më të mirë të mundshme, mund ta udhëheqë Francën drejt titullit në Kampionatin Evropian.
“Duke e parë që ai nuk po shënon, na takon neve ta ndihmojmë atë, ta shtyjmë para”, ka thënë Kolo Muani. “Turneu ende nuk ka përfunduar. Edhe pse me hundë të thyer, ai është në rregull në aspektin fizik”, deklaroi sulmuesi i Paris Saint-Germainit.