Euro 2024

Klubet baske dominojnë ndaj Realit dhe Barçës te Spanja

Klubet baske dominojnë ndaj Realit dhe Barçës te Spanja

Për shumë vjet përfaqësuesja e Spanjës ishte përzgjedhje e lojtarëve më të mirë nga Real Madridi dhe Barcelona. Për shembull në finalen e Kupës së Botës 2010 në Afrikë të Jugut, ndaj Holandës, dy klubet e mëdha i kishin plot dhjetë lojtarë në formacionin startues.

Iker Casillas, Sergio Ramos e Xabi Alonso të Realit dhe Gerard Pique, Carlos Puyol, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Xavi, Pedro dhe David Villa i sapo transferuar te Barcelona nga Valencia, ishin dhjetë prej 11 startuesve. Vetëm Joan Capdevilla i Villarrealit ishte nën kontratë me një klub tjetër.

14 vjet më pas vetëm dy lojtarë, Dani Carvajal dhe Lamine Yamal, kanë prezantuar ngjyrat e dy klubeve të mëdha në ekipin startues të Spanjës në finale ndaj Anglisë. 

Këtë herë baskët ishin ata që patën fjalën kryesore dhe atë për arsye të mirë. Derisa Real Madridi dhe Barcelona kanë blerë lojtarë të huaj për shifra të mëdha parash në vitet e fundit dhe kështu kanë neglizhuar disi të rinjtë, Athletic Bilbao dhe Real Sociedadi kanë llogaritur vazhdimisht në lojtarët lokalë dhe ishin të suksesshëm.

Bilbao, që pranon vetëm lojtarë që janë rritur apo kanë ushtruar në provincat e Baskisë, ka ofruar dy startues, portierin Unai Simon dhe lojtarin më të mirë të finales, Nico Williams. 
Aymeric  Laporte, që tani fiton paratë në Arabi Saudite, po ashtu vjen nga klubi që përfundoi i pesti në edicionin e kaluar. Bilbao është klubi i vetëm krahas Realit dhe Barcelonës, që nuk është larguar asnëjherë nga kategoria e parë e Spanjës.

Robin Le Normand ishte lojtari i vetëm i Sociedadit që startoi në finale. Por Martin Zubimendi, Mikel Oyarzabal dhe Mikel Merino u aktivizuan si zëvendësues dhe ndihmuan fitoren. Oyarzabal shënoi golin e fitores.

Edhe duke përjashtuar klubet baske, varësia e Spanjës nga lojtarët e Real Madridit dhe Barcelonës është zbehur. Lojtari më i rëndësishëm i Spanjës tani është Rodri i Manchester Cityt. Kapiteni Alvaro Morata luan te Atletico Madridi. Fabian Ruiz i PSG-së shkëlqeu në Evropian, njëjtë si Dani Olmo i RB Leipzig. Olmo si i ri ishte një kohë te Barcelona.