Euro 2024

Joao Felix godet shtyllën, Franca në gjysmëfinale

Joao Felix

Franca është gjysmëfinalistja e dytë në Euro 2024. Të premten mbrëma, Franca në çerekfinale e mposhti Portugalinë. 

Ndeshja u vendos me penallti. Joao Felix ishte i vetmi që dështoi nga pika e bardhë. Ai goditi shtyllën në serinë e tretë të penalltive.

Ousmane Dembele shënoi fillimisht për Francën, ndërsa Cristiano Ronaldo u përgjigj për Portugalinë. Në serinë e dytë realizuan Youssouf Fofana i Francës e Bernardo Silva i Portugalisë. Më pas realizoi Jules Kounde, kurse goditja e Felixit përfundoi në shtyllë. Seria e penalltive vazhdoi me shënimet e Bradley Barcolas e Nuno Mendesit.

Në serinë e pestë shënoi Theo Hernandez dhe kështu fitorja me 5:3 në penallti i takoi Francës. 

Francezët të martën takohen në gjysmëfinale me Spanjën. Ajo ndeshje zhvillohet në Munih.
Portierët e të dy përfaqësueseve nuk e ndalën asnjë penallti. Portieri portugez, Diogo Costa, në ndeshjen e kaluar ndaj Sllovenisë i ndali tri penalltitë e para. Por nuk kishte rast ndaj Francës.
Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas dy vazhdimeve nga 15 minuta përfundoi 0:0. Ishte prej ndeshjeve të zbehta të Evropianit në Gjermani.

Rastet në fakt nuk kanë munguar. Cristiano Ronaldo lëshoi rast të artë në vazhdime për Portugalinë, ndërsa te Franca u shqua Ousmane Dembele, sa i takon rasteve të krijuara. Mike Maignan, portieri i Francës, po ashtu kishte disa ndërhyrje vendimtare.

Franca në një të tetën e finales arriti me fitoren e vështirë, 1:0, ndaj Belgjikës. Ajo ndeshje u vendos me autogol. Nuk ka shfaqur shumë as në fazën grupore, por megjithatë tani është në gjysmëfinale.

Kapiteni dhe lideri i Francës, Kylian Mbappe, ka lënë fushën pas përfundimit të vazhdimit të parë. Është dukur se ka telashe me hundën e thyer. Por Mbappe ka shfaqur pak ndaj portugezëve.

Me shumë gjasë kjo është ndeshja e fundit e Cristiano Ronaldos në Evropian, ndërsa mbetet të shihet nëse do të jetë e fundit me Portugalinë. Ai luajti 120 minuta, tentoi disa herë por nuk realizoi. E mbylli Evropianin pa gol të shënuar.

Lexo përditësimet tjera
Joao Felix godet shtyllën, Franca në gjysmëfinale

Joao Felix godet shtyllën, Franca në gjysmëfinale