Kampionia në fuqi, Italia, synon të vazhdojë dominimin ndaj Zvicrës dhe të kualifikohet në çerekfinale të Euro 2024.
Zvicra e Italia përballen të shtunën nga ora 18:00 në Berlin, në ndeshjen e parë të një të tetës së finales të Evropianit në Gjermani. Italia mezi u kualifikua në fazën nokaut, falë golit ndaj Kroacisë në minutën e 98-të, por tani synon të shkojë larg.
Zvicra ka shfaqur shumë më tepër në fazën grupore.
Por helvetikët nuk e kanë mposhtur Italinë për 31 vjet dhe kanë vetëm tetë fitore në 61 ndeshjet e kaluara. Zvicra është e pamposhtur këtë vit, ndërsa vitin e kaluar humbjen e vetme e pësoi në ndeshjen e fundit kualifikuese.
Italia ka kujtime të mira nga “Olympiastadion” në Berlin, ku e mposhti Francën me penallti në finalen e Kupës së Botës 2006. Kishte fituar në arenën e njëjtë, 2:1, ndaj Austrisë në finale të Lojërave Olimpike 1936.
Azurët kanë pasur telashe në Evropianin aktual. Pranuan gol pas vetëm 23 sekondash ndaj Shqipërisë, por fituan 2:1 me shumë mund. U dominuan plotësisht nga Spanja dhe më pas Mattia Zaccagni shënoi gol vendimtar në barazimin 1:1 ndaj Kroacisë.
Zvicra fitoi 3:1 ndaj Hungarisë. Më pas luajti 1:1 ndaj Skocisë, në të cilën ndeshje supergol realizoi Xherdan Shaqiri. Gjermania shënoi në kohën shtesë për të shmangur humbjen nga Zvicra në ndeshjen e fundit në grup. Ajo ndeshje përfundoi 1:1. Granit Xhaka u shpall më i miri në ndeshjen e parë dhe të tretë.
Zvicra e Italia janë takuar në kualifikimet për Kupën e Botës 2022. Barazuan në të dy ndeshjet, ndërsa Zvicra e fitoi grupin. Italia mbeti jashtë Botërorit.
Lojtarët e Zvicrës, Yann Sommer, Ricardo Rodriguez, Remo Freuler, Noah Okafor, Michel Aebischer, Dan Ndoye, Denniz Zakaria, Silvan Widmer dhe Xherdan Shaqiri kanë luajtur apo luajnë në Serie A.
Federico Dimarco është lojtari i vetëm i Italisë që ka luajtur në Zvicër. Ai ishte në Sion në edicionin 2017/18.
Fituesi i ndeshjes takohet me Anglinë apo Sllovakinë në çerekfinalen e Duesseldorfit, më 6 korrik.
Tek Italia, Riccardo Calafioeri është i suspenduar. Ndërkohë edhe të paktën dy lojtarë të Italisë pritet të mungojnë për shkak të lëndimeve.
Te Zvicra, Silvan Widmer është i suspenduar, ndërsa nuk ka telashe serioze me lëndime.
Në tri paraqitjet e para në Evropian, Zvicra nuk avancoi nga faza e grupeve. Por e ka arritur këtë në tri paraqitjet e fundit. Italia ka shënuar gol në të gjitha gjashtë ndeshjet në “Olimpiastadion”.
Zvicra ka fituar vetëm një prej katër ndeshjeve të vendosura në penallti në Evropian apo Kupë të Botës. Italia fitoi ndaj Anglisë me penallti për ta fituar Evropianin e kaluar.
“Asnjë përfaqësuese nuk është e lumtur të luaj ndaj Italisë, sepse kemi histori të futbollit. Ne jemi kampionë në fuqi dhe nuk është kurrë lehtë të luash kundër nesh”, ka thënë sulmuesi anësor i Italisë, Stephan El Shaarawy.
“I njohim lojtarët, vendin dhe kulturën e futbollit që kanë italianët. Kjo e bën ndeshje më të veçantë. Ne duam të fitojmë, pavarësisht kë e kemi përballë”, ka thënë mesfushori i Zvicrës, Michel Aebischer.