Suksesi i Sllovenisë në “Euro 2024” ka bërë bujë. Për kalimin me sukses të grupit ku ishte edhe Serbia, ka folur edhe ish-selektori i Kosovës, slloveni Primozh Gliha. Ai ka drejtuar edhe Slloveninë U21 dhe ekipe të ndryshme në këtë vend. Sllovenia e Serbia kishin barazuar 1:1, ndërsa sllovenët golin e kishin pësuar në minutën e 95-të.
“Serbët gjithnjë ishin klientët tanë. Ashtu si edhe italianët. Tradita ndonjëherë është gjë djallëzore, apo jo? Mëkat që kemi pranuar atë gol në sekondën e fundit, por nuk ka lidhje, kemi avancuar”, ka thënë Gliha për mediumin kroat “Sportske Novosti”.
Gliha ka treguar se me Slloveninë U21 ka mposhtur Serbinë U21, që atëbotë ishte kampione e botës.
“Kur e kemi mposhtur kam thënë që serbët i kanë menaxherët më të mirë se lojtarët. Gjysma e tyre tani luajnë në përfaqësuesen A dhe për këtë e kam ditur se nuk humbim nga Serbia. Tani ne sllovenët do të çmohemi më shumë si lojtarë dhe lojtarët tani do të shiten më lehtë. Kjo do të ndryshojë”, ka theksuar Gliha.
Sipas tij, sllovenët në kohën e Jugosllavisë nuk janë lejuar të përparojnë në futboll. Janë njohur vetëm si skitarë.
“Tani është e kundërta. Tani Beogradi shikon se si sllovenët luajnë futboll. Nuk është ashtu si na kanë prezantuar dikur”, ka thënë ish-selektori i Kosovës.