Euro 2024

I pandalshmi Oyarzabal, heroi i papritur i Spanjës

Mikel Oyarzabal

Derisa të rinjtë e shkëlqyer të Spanjës e udhëhoqën Përfaqësuesen gjatë tërë Kampionatit Evropian, i takoi një lojtari që ka parë anën e vështirë të futbollit që ta sigurojë titullin.

Mikel Oyarzabal u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë dhe shënoi golin e fitores së kampiones, Spanjës. Ai shënoi në minutën e 86-të për fitoren 2:1 në finalen e së dielës ndaj Anglisë.

“Nuk e di nëse ishte fati apo diçka tjetër. Por diçka më vuri në atë pozicion për të shënuar atë gol”, tha Oyarzabal.

Oyarzabali, 27-vjeçari i Real Sociedadit, ishte i rregullt te Spanja nën urdhrat e Luis de la Fuentes dhe trajnerit para tij, Luis Enrique. Jo një lojtar që bie në sy, Oyarzabal çmohet për shpejtësinë e tij në hapësirë, etikën e punës dhe si një ekzekutues i  qetë i penalltive.

Por kur duhej të paraqitej në Kupën e Botës 2022 në Katar, Oyarzabal po përballej me një lëndim që e mbajti jashtë fushës për disa muaj. 

“Pas lëndimit jam me fat që ndiej këtë kënaqësi të madhe, duke ditur atë që kam kaluar. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar”, ka thënë Oyarzabal.

“Unë e shënova golin e fitores, por këtë ka mundur ta bëjë secili bashkëlojtar i imi. Ishim këtu 45 ditë, kemi dhënë çdo gjë dhe jemi ndier si një familje”.

Oyarzabali ishte njëri prej pesë lojtarëve të Sociedadit në ekipin e Spanjës që ishte një miksim i lojtarëve nga shumë skuadra e që nuk u dominua nga Barcelona apo Real Madridi. Të rinjtë Lamine Yamal e Nico Williams ishin lojtarët yje të Spanjës në Evropianin në Gjermani.

Lojtari tjetër i Sociedadit, Mikel Merino, hyri si zëvendësues dhe shënoi golin e fitores ndaj Gjermanisë në çerekfinale.

Si në disa raste të tjera gjatë Evropianit, selektori De la Fuente e aktivizoi Oyarzabalin në vend të Alvaro Moratas në minutën e 68-të. Misioni i tij ishte të ndihmonte të ruhej epërsia e krijuar me golin e Nico Williamsit. Por pas golit të barazimit të shënuar nga Cole Palmer, ai është dashur të udhëheqë sulmin në tentimin për golin e dytë. 

Dhe kur Oyarzabal e pa Marc Cucurellan duke bërë një vrapim tjetër në krahun e majtë, ai e pasoi topin për mbrojtësin e Chelseat dhe u nis para. Cucurella bëri pasim të përkryer tek Oyarzabali që konkretizoi me sukses për të bërë vend në historinë e Spanjës.

“Kam kryer punën time dhe isha mjaftueshëm me fat që të shënoj golin e fitores”, tha Oyarzabal.

“Në fund, pasi kam kaluar nëpër kohë kaq të vështira, vetëm të jem këtu në mesin e 26 lojtarëve është mjaftueshëm. Dhe nëse më pas fiton rastin për të ndihmuar, atëherë duhet ta shfrytëzosh atë”.
Ishte goli i 12-të në 37 paraqitje për Spanjën që kur Oyarzabal debutoi në vitin 2016. Ishte goli i vetëm në “Euro 2024”, ndonëse u paraqit në të gjitha shtatë ndeshjet e Spanjës. Të gjitha përfunduan në të mirë të spanjollëve.

Goli i finales i shtohet golit të fitores për Sociedadin në finalen e Kupës së Spanjës 2020 ndaj Athletic Bilbaos, si dy prej momenteve kryesore në karrierë.

De la Fuente ka lavdëruar Oyarzabalin për kontributin e tij. Ata ishin së bashku te Spanja U19 dhe U23, para se të dy të kalojnë në Përfaqësuesen A.

“Mikeli është gjithnjë një bast i sigurt. Ka nëntë vjet që jemi bashkë dhe Mikeli nuk më ka tradhtuar asnjëherë. Ai mund të luajë në krah dhe në qendër të sulmit, si në finale. Këtë herë shënoi, por ai gjithnjë ofron diçka për ne”, ka thënë De la Fuente.