Euro 2024

Granit Xhaka stërvit i vetëm, kjo është gjendja e tij

Granit Xhaka

Te Zvicra janë shokuar kur Granit Xhaka u ul në fushë në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Italisë. Kapiteni i Zvicrës kishte dhembje, ndërsa iu dha një bar për t’ia ndalur ato.

“Para ndeshjes ndaj Italisë kam ndier diçka në muskulin aduktor dhe për këtë pushova të enjten. Por gjendja u përmirësua deri në ndeshje”, ka treguar Xhaka të dielën, një ditë pas ndeshjes.

Të hënën Zvicra e kishte ditë të lirë, ndërsa mesfushori iu nënshtrua një kontrollimi më të detajuar.

Të martën rezultati u bë i ditur. Me Xhakën është çdo gjë në rregull. Ndonëse të martën stërviti i vetëm, paraqitja e Xhakës ndaj Anglisë nuk është në rrezik.

Zvicra e Anglia takohen në çerekfinale të Euro 2024.

“Nuk ka arsye për brengosje. Kontrollimi ka treguar se Graniti nuk ka lëndim. Por ai ka luajtur shumë ndeshje këtë edicion dhe trupi i tij e ndien këtë”, ka thënë Adrien Arnold, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Xhaka po shkëlqen në Evropian. Dhe fakti që ai është i gatshëm, është lajmi më i mirë i mundshëm për helvetikët.

Te Zvicra ka entuziazëm shumë të madh para përballjes me Anglinë.