Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka pranuar forcën e Spanjës. Por mbrojtësi i Atalantas ka shtuar se Shqipëria ka gjasat e saj për kalim në fazën nokaut të Evropianit “Gjermania 2024”. Ndeshja Shqipëri – Spanjë luhet të hënën nga ora 21:00 në Duesseldorf. I takon Grupit B. “Spanja ekip shumë i fortë, besoj që të gjithë qunat janë gati. Gjëja e rëndësishme që jemi ende në garë. Do të bëjmë më të mirën nesër për të bezdisur Spanjën”, ka thënë Gjimshiti në fillim të konferencës për shtyp.
Ai ka thënë se për ekipin kuqezi pak ka rëndësi se me cilët lojtar do të paraqitet Spanja.
“Nuk ndikon aspak sepse edhe formacioni i dytë është në nivel thuajse të njëjtë me formacionin e parë. E dimë kë e kemi përballë dhe kjo është më e rëndësishmja. Nuk mendojmë aspak që do të luajnë me ekipin e dytë dhe do të marrim sikur të luaj me ekipin e parë”, është shprehur ai. “Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme”.
Para se të flas për gjasat që ka Shqipëria për t’u paraqitur në fazën nokaut, Gjimshiti u përgjigj edhe për dënimin që UEFA ia ka shqiptuar sulmuesit Mirlind Daku. Ai ka thënë se Daku ka kërkuar falje për gabimin që ka bërë. “Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të fokusohemi në ndeshjen që na pret. Kjo është më e rëndësishmja. Asgjë nuk është e pamundur. Këtë e kam mësuar në jetë. Por do të jetë vështirë. Do të tentojmë të shqetësojmë Spanjën”, ka thënë Gjimshiti.
Ai ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë rreth vendimeve të UEFA-s.
“Nuk jam këtu për të folur për çështje politike. Për këto çështje kujdeset UEFA. Ne jemi këtu të luajmë nesër dhe të kemi mundësi në fushë. Do të kemi shumë tifozë që do të na përcjellin nesër”, ka thënë Gjimshiti.