Euro 2024

Gjermania luan për të fituar, pavarësisht përballjes së mundshme me Spanjën

Gjermania

Foto: Associated Press

Selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka thënë se ekipi i tij do të luajë për të fituar ndaj Zvicrës të dielën, pavarësisht se në çerekfinale, rrugëtimi mund t’i përballë me Spanjën. 

Ndeshja Zvicra – Gjermania luhet në Frankfurt nga ora 21:00, ndërsa i takon Grupit A të Evropianit 2024. 

Gjermanët e kanë siguruar fazën nokaut dhe do të jenë të parët në grup me fitore apo barazim kundër Zvicrës. 

Spanja kryeson po ashtu Grupin B, dhe të dyja përfaqësueset pretendente për ta fituar Evropianin, mund të përballen herët në këtë garë. 

“Mendoj se është normale për t’u diskutuar këto çështje”, ka thënë Nagelsmann të shtunën në konferencën për shtyp. “Në fund të fundit, është vështirë të flasësh me lojtarët dhe t’u thuash të humbin. Kjo nuk ka kuptim për djem që garojnë. Normalisht se luan futboll për ta fituar një ndeshje, dhe ndeshja e radhës është për t’u fituar”. 

Përzgjedhësi 36-vjeçar po ashtu ka thënë se Gjermania apo secili ekip që mendon për shumë larg, mund të dënohet. 

“Kundërshtarin e fazës tjetër do ta mësojmë të martën në mbrëmje dhe do të kemi kohë për t’u përgatitur”, ka thënë Nagelsmann, që me Gjermaninë kryesojnë Grupin A me gjashtë pikë. Zvicra është e dyta me katër pikë. 

Skocia ka një pikë, ndërsa Hungaria e fundit është pa pikë. 

Zviceranët e drejtuar nga selektori Murat Yakin dhe Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, vendin e dytë mund ta sigurojnë edhe me një barazim. 

Nagelsmann ka thënë se Zvicra është kundërshtarja më e fortë e grupit dhe pret ndeshje interesante. 
Qendërmbrojtësi Jonathan Tah, i cili fitoi dy trofe këtë edicion me Bayer Leverkusenin e drejtuar nga Xabi Alonso, është pajtuar me selektorin Nagelsmann. Ai ka thënë se bashkë me pjesën tjetër të grupit, dëshirojnë ta fitojnë çdo ndeshje. 

Të shtunën, konferencë për shtyp mbajti edhe Përfaqësuesja e Zvicrës. 

Murat Yakin, trajneri që drejton Zvicrën theksoi se skuadra e tij duhet ta shijojë ballafaqimin e së dielës dhe shtoi se presioni është te skuadra nikoqire e turneut. 

“Ne kemi katër pikë dhe nuk do të kemi presion për ta fituar ndeshjen – por, padyshim se do të provojmë të marrim tri pikë. Duam që kundërshtarit t’i shkaktojmë probleme dhe të luajmë ndeshje të mirë”, është shprehur Yakin. 

Zvicra suksesin më të madh në Evropian e arriti në vitin 2021, kur e eliminoi Francën rrugës për në çerekfinale.  

Ndeshja tjetër e Grupit A të dielën nga ora 21:00, do të luhet në Stuttgart. Skocia ballafaqohet me Hungarinë. 

Të dyja skuadrat shpresojnë që të mos jetë ndeshja e fundit e këtij turneu të Evropianit. Skocia është e treta në grup me një pikë. Humbi thellë 5:1 nga Gjermani, ndërsa barazoi 1:1 me Zvicrën. Hungaria është e fundit pas humbjeve 3:1 nga Zvicra dhe 2:0 nga Gjermania. 

Skocia shpreson që ta arrijë për herën e parë fazën nokaut të ndonjë turneu madhor. 

Nëse dëshiron që të përfundojë në vendin e dytë në grup, duhet ta mposhtë Hungarinë dhe të shpresojë që Zvicra të humbë me rezultat të thellë nga Gjermania. 

Të dyja skuadrat kanë shansin që të kalojnë në 1/8 e finales si njëra nga skuadrat më të mira të vendeve të treta.