Nikoqirja e Evropianit, Gjermania nuk është llogaritur shumë para 14 qershorit. Por fitorja 5:1 ndaj Skocisë dhe më pas ajo 2:0 ndaj Hungarisë ka bërë që gjermanët të llogaritën prej favoritëve kryesorë. Në ndeshjen e tretë në Grupin A, Gjermania pati telashe të shumta me Zvicrën. Në minutën e 92-të realizoi gol për të shmangur humbjen, përkatësisht për barazimin 1:1. Synimin e parë megjithatë gjermanët e realizuan – fituan grupin dhe tani luajnë në Dortmundin e zjarrtë ndeshjen e një të tetës së finales.
Përballë Gjermanisë do të jetë Danimarka, që kishte tri barazime në fazën grupore. Por të mjaftueshme për avancim në fazën nokaut.
Ndeshja Gjermani – Danimarkë zhvillohet të shtunën prej orës 21:00. Është ndeshja e dytë e një të tetës së finales.
Gjermania ka pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen me danezët.
Selektori Julian Nagelsmann ka folur me respekt për kundërshtarin.
“Danimarka është ekip i organizuar shumë mirë. Ka faza kur danezët janë shumë agresivë në defanzivë, por më pas bëjnë sulme shumë të mira me një prekje të topit. Danezët kanë shumë përvojë në skuadër dhe strukturë të qartë. Danimarka është kundërshtare e fortë”, ka thënë Nagelsmann të premten në konferencë për shtyp.
Natyrisht Gjermania pret përkrahje të madhe nga tribunat. Për këtë ka folur edhe Nagelsmanni.
“Stadiumi në Dortmund zakonisht është shumë i zhurmshëm. E kam provuar shumë herë si trajner kundërshtar. Shpresoj se do të jetë zhurmë e ngjashme nga tribunat edhe nesër mbrëma”, ka shtuar selektori gjerman.
Danimarka ishte e dyta në Grupin C. I mblodhi tri pikë, sa i kishte edhe Sllovenia në pozitën e tretë. Vetëm për shkak të kartonit të ndarë për një trajner, Sllovenia mbeti prapa Danimarkës në renditje.
Danezët, që po inspirohen nga Christian Eriksen, fillimisht barazuan me Slloveninë, 1:1. Me rezultat të njëjtë luajtën edhe ndaj Anglisë, ndërsa ndeshja me Serbinë nuk ofroi gola.
Erikseni nuk ka stërvitur të premten për shkak se ishte i sëmurë. Por pritet të jetë gati për ndeshjen me gjermanët, ka thënë selektori Kasper Hjulmand. Probleme shëndetësore ka pasur edhe Thomas Delaney.
“Kemi vendosur që ata të mos ushtrojnë. Shpresojmë të jenë gati për nesër”, ka thënë Hjulmand.
Ai e di se Danimarkën e pret punë shumë e vështirë.
“Që në fillim e kam llogaritur Gjermaninë si njërën prej favoriteve. Është shumë keq që do të luajmë ndaj saj. Gjermania ka cilësi dhe talent. Është paraqitur shumë mirë në grup. Por edhe ne kemi shumë kualitet dhe talent. Gjermanët do të duhet të jenë shumë, shumë të mirë për të na mposhtur”, ka shtuar selektori danez.
Edhe Danimarka pret përkrahje të madhe nga tribunat. Kishte përkrahje edhe në ndeshjet në grup.
“Atmosfera do të jetë si në një ndeshje në udhëtim. Por e dimë që tifozët që i kemi këtu do të bëjnë më të mirën për të na inspiruar. Do të jemi gati”, ka thënë Hjulmand.