Khvicha Kvaratskhelia ishte i lirë gati në gjysmën e fushës dhe vuri re që portieri i Spanjës, Unai Simon, ishte jashtë pozitës së tij. Pse të mos provonte me një goditje?
Përpjekja e lojtarit të Napolit ishte për pak e pasaktë. Por vetë ideja ishte spektakolare dhe dëshmon për ambiciet e Gjeorgjisë, përfaqësuese që nuk kishte frikë nga dështimi në “Euro 2024”.
Gjeorgjia ishte debutuesja e vetme në “Euro 2024”. Po ashtu, ishte përfaqësuesja e ranguar më së ulëti në FIFA. Të dielën mbrëma gjeorgjianët u mposhtën 4:1 nga Spanja në një të tetën e finales në “Euro 2024”. Humbja ishte e thellë, por Gjeorgjia ishte në avantazh dhe luftoi deri në fund.
Çdo trishtim nga humbja zbehet pasi lojtarët vlerësojnë vetëm atë që kanë arritur, thotë selektori Willy Sagnol.
“Jam i sigurt që brenda disa ditësh do të kuptojmë atë që kemi bërë dhe lumturia do të kthehet shumë shpejt”, tha Sagnol.
Para fillimit të Evropianit, Sagnol deklaronte se synimi ishte të fitohej përvojë në debutim. Rezultatet disi nuk u përmendën, ndërsa trazirat politike në Gjeorgji ishin rrezik që Evropiani të mbetej në plan të dytë.
Por Gjeorgjia bëri njërën prej befasive më të mëdha në histori të Evropianëve duke fituar 2:0 ndaj Portugalisë. Pa pritur, Gjeorgjia ishte në fazën nokaut të Evropianit dhe lojtarëve iu premtuan mbi 10 milionë dollarë në bonuse nga një afarist gjeorgjian. Tjetër bonus u premtua për fitore eventuale ndaj Spanjës.
Gjeorgjianët besuan dhe paraqitja e tyre në Evropian nuk do të harrohet shpejt.
Në humbjen 3:1 nga Turqia në ndeshjen e parë, gjeorgjianët bënë një pasim mjeshtëror. Në barazimin 1:1 me Çekinë, lëshuan rast të artë në fund të ndeshjes.
Ndërkohë fitorja 2:0 ndaj Portugalisë e Cristano Ronaldos u ndërtua mbi driblimet e guximshme e të suksesshme në mesin e fushës. Portieri Giorgi Mamardashvili u hodh drejt topit për pritje vendimtare.
Është e paqartë cila do të jetë rruga e Gjeorgjisë tutje.
Francezi Sagnol shmangu pyetjen nëse do të qëndrojë për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
“Ndonjëherë duhet të gjesh kohë për t’u ulur dhe për të parë atë që ke bërë. Unë mendoj se ne mund të ulemi në paqe dhe të qetë, që të gjithë, dhe të shikojmë atë që kemi bërë në vitin e fundit”, tha selektori i Gjeorgjisë.
“Është fundi i një udhëtimi, por jam i sigurt se udhëtimi i radhës do të jetë gjithashtu shumë emocionues”.