Euro 2024

Gavi kthehet te Spanja

Gavi

Mesfushori i Barcelonës, Gavi, është bashkuar me përfaqësuesen e Spanjës dhe do të jetë në mbështetje të bashkëlojtarëve në finale të “Euro 2024”.

Gavi mbërriti të dielën në mëngjes në Berlin për ta përkrahur Spanjën në finale. Ai u ftua nga selektori Luis de la Fuente dhe presidenti i federatës spanjolle, Pedro Rocha.

“Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur që jam me bashkëlojtarët. Ata e merituan. Ndihem shumë i kënaqur, i kam parë të gjitha ndeshjet dhe i kam mbështetur sepse ndjehem sikur jam pjesë e këtij ekipi dhe këtij vendi”, ka thënë Gavi.

19-vjeçari është duke u përballur me një lëndim të rëndë që e pësoi muaj më parë me skuadrën e Barcelonës. Për këtë edhe mbeti jashtë Evropianit.

Me Spanjën, Gavi ka zhvilluar 27 ndeshje dhe ka realizuar pesë gola.