Kampionati Evropian “Gjermania 2024” është në pikën kulmore, ndërsa gara për top-golashënuesin premtohet të jetë interesante.
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, dhe reprezentuesi i Spanjës, Dani Olmo, janë në krye të listës së golashënuesve. Të dy i kanë nga tri gola. Kjo shifër e golave në dy raste ka mjaftuar për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Evropianit.
Para finales që zhvillohet të dielën mes Spanjës dhe Anglisë, disa lojtarë kanë shansin të bëhen top-golashënues.
Kane dhe Olmo janë liderë, por të tjerë lojtarë po ashtu kanë mundësinë t’i kalojnë ata apo të barazohen me ta.
Afër janë Fabian Ruiz i Spanjës dhe Jude Bellingham i Anglisë, që kanë nga dy gola.
Nëse më shumë se një lojtar ka numër të njëjtë golash, atëherë fituesi përcaktohet nga numri i asistimeve. Nëse edhe në këtë statistikë ka barazim, atëherë fiton lojtari që ka luajtur më pak minuta.
Kjo do të thotë se momentalisht golashënuesi më i mirë do të ishte Dani Olmo. Ai tashmë i ka edhe dy asistime. Nëse Fabian Ruiz shënon tjetër gol, ai sërish do të mbetej prapa Olmos. Ruiz i ka dy asistime, por ka luajtur më gjatë se Olmo.
Në “Euro 2020”, golashënuesi më i mirë ishte Cristiano Ronaldo me pesë gola e një asistim. Antoine Griezmann ishte më efikasi në “Euro 2016” me gjashtë gola. Në “Euro 2012”, Fernando Torres u shpall golashënuesi më i mirë në bazë të tri kritereve. Kishte tri gola, një asistim dhe më pak minuta në fushë se kandidati tjetër.
David Silva i Spanjës i kishte katër gola në “Euro 2008”, ndërsa Milan Barosh i Çekisë ishte top-golashënues në “Euro 2004” me pesë gola.
Në këtë Evropian gara për golashënuesin më të mirë pritet të jetë interesante. Mbetet të shihet nëse Kane apo Olmo do të fitojnë, apo nëse do të dalë ndonjë lojtar tjetër nga plani i dytë. Një është e sigurt – tifozët e futbollit mund të presin finale interesante.