Euro 2024

Favoritët për “Euro 2024”, sipas Sejdiut e Hashanit

Gani Sejdiu - Erdin Hashani

Trajnerët Gani Sejdiu dhe Erdin Hashani kanë dhënë emrat e shteteve favorite sipas tyre për ta fituar Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Trajneri Sejdiu ka vlerësuar si favorite Francën, ndërsa ka thënë se edhe Anglia, Portugalia e Gjermania nuk duhet lënë anash si top-kandidate për ta fituar kampionatin. E Hashani, pos tyre ka vlerësuar Spanjën si kombëtare që mund të triumfojë.

“Janë disa faktorë që i marrim parasysh, për mua është mendoj se Franca është ndër kombëtaret më serioze dhe pretendenti kryesor për ta fituar këtë kampionat”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së teksa ka shtuar se futbolli ia jep mundësinë të fitojë edhe të dobëtit. Te Franca ka vlerësuar ekipin homogjen që luan bashkë qe disa vite. Ka thënë se Franca ka miks të lojtarëve me përvojë dhe të rinj e trajner qe disa vite. “Këto do të thonë shumë për kombëtaren”.

Tek Anglia, Sejdiu ka thënë se ka shumë superlojtarë, por sipas tij kjo kombëtare ka luhatje që e bën skeptik. Tek Portugalia, që e ka cilësuar si ekipin e tretë favorit, problemi i vetëm ka thënë se mund të jetë superylli Cristiano Ronaldo, “nëse ai del të jetë problem për menaxherin”.

E ka vlerësuar lartë edhe Gjermaninë si nikoqire dhe lëvizjet e fundit të trajnerit Julian Nagelsmann.
Në anën tjetër, Hashani ka thënë se për dallim nga Anglia, është Spanja që ka gjeneratë më të re dhe se lojtarët kyç të saj kanë pasur orar më pak të ngjeshur së fundmi. Favorite më shumë i ka vlerësuar Francën, Spanjën dhe Gjermaninë. 

Të dy kanë shprehur shpresë për sukses të Shqipërisë, por kanë deklaruar se është shumë e vështirë duke ditur se ka në grup Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. 

Hashani ka thënë se veçori do të jetë mbështetja e madhe që do të marrë Shqipëria edhe nga tifozët kosovarë që udhëtojnë pa viza, ndërsa të dy trajnerët e kanë vlerësuar disiplinën taktike si pikën kryesore që mund të shkaktojë befasi kundër favoritëve. 

Sejdiu ka thënë se Shqipëria duhet të shfrytëzojë përparësinë e çështjes psikologjike pasi tri rivalët kanë ambicie shumë më të larta e se Shqipëria e ka arritur kulmin.

Ata e kanë vlerësuar ndeshjen me Italinë të shtunën si kyçen për hapin e ardhshëm të kuqezinjve.

Lexo të gjitha lajmet për “Euro 2024”: