Pa favoritë e kanë vlerësuar ndeshjen e parë çerekfinale të Kampionatit Evropian “Euro 2024”, përballjen Spanjë – Gjermani, trajnerët Gani Sejdiu dhe Erdin Hashani, dhe futbollisti Alban Shillova. Përderisa kanë thënë se te kjo ndeshje detajet e vogla do të caktojnë fituesin, te çerekfinalja tjetër Portugali – Francë, ekspertët kanë pasur qëndrime të ndryshme. Teksa Sejdiu e Hashani kanë favorizuar Francën, Shillova i ka dhenë përparësi Portugalisë.
Spanja dhe Gjermania përballen të premten (5 korrik) me fillim prej orës 18:00, ndërsa Portugalia dhe Franca prej orës 21:00.
Trajneri Gani Sejdiu ka thënë se Gjermania e ka rastin për hakmarrje sportive. Ai ka vlerësuar se nikoqirët e “Euro 2024” kanë befasuar me komponimin e mirë dhe të shpejtë që kanë bërë. Ai ka thënë se megjithatë, përballja me Spanjën është e zorshme teksa e ka quajtur mëkat ndeshjen e dy skuadrave në fazë kaq të hershme. “Nuk ka favorit”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Te përballja Portugali – Francë, Sejdiu ka thënë se “Gjelat” taktizojnë më shumë dhe mbrojtja e fortë mund t’ia sjellë fitoren. Sipas tij, paraqitjet e Francës janë zhgënjyese, por ka shtuar se ekipi i Didier Deschampsit është i interesuar të kalojë tutje edhe pa e treguar fuqinë e plotë si Gjermania a Spanja. “Përparësi ka Franca, edhe me lojtarët me më shumë vetëbesim”, ka thënë ai, teksa ka përsëritur se nuk duhet përjashtuar as cilësia e madhe e individëve te Portugalia.
Favorizim të lehtë Francës i ka dhënë edhe Hashani. Ai ka thënë se Portugalia ka treguar zbrazëtira në ndeshjet e fundit. Sipas tij, pika e fortë e Francës është ana defansive. “Po që se Franca tërhiqet mbrapa, është më e rrezikshmja sepse lojtarët e sulmit i ka shumë të shpejtë. Këtu mendoj se është përparësia”, ka thënë ai.
Sipas tij, për dallim nga kjo ndeshje, përballja Spanjë – Gjermani nuk mund të parashikohet. Ai ka thënë se Gjeorgjia i ka nxjerrë disa të meta ekipit spanjoll dhe që Gjermania mund t’i shfrytëzojë. Sipas tij, këtu hyn tranzicioni i ngadaltë i Spanjës në defansivë.
E futbollisti i Feronikelit, Alban Shillova, ka thënë se e sheh Portugalinë favorite përballë Francës, duke i marrë për bazë ndeshjet në fazën e grupeve. Ai ka thënë se Portugalia ka lojtarë kreativë dhe që individualisht mund t’i bëjnë dallimet. Gabim te Franca, e ka vlerësuar “varësinë” tek ylli Kylian Mbappe. “Franca po më duket se po bazohet shumë në formën e Mbappes dhe pritjet për të... po varet shumë nga një lojtar, që po se markohet mirë, mendoj se s’mund të ketë zgjidhje tjetër. Të paktën deri tash nuk ka treguar”, ka thënë ai.
Ndërsa për përballjen Spanjë-Gjermani, Shillova ka thënë se dallimin do ta bëjë mesfusha, por se edhe ai nuk ka dhënë favorit.