Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, ka treguar të shtunën se cila do të jetë ndeshja e veçantë e Shqipërisë në kampanjën e Evropianit 2024.
Shqipëria është në Grupin B dhe përveç me Italinë, do të ballafaqohet edhe me Kroacinë dhe Spanjën.
Për Shqipërinë do të jetë pjesëmarrja e dytë në Evropian, pas atij të vitit 2016 në Francë.
“Do të jetë ndeshje e veçantë kundër Italisë. Kundër Italisë ndoshta do ta luajmë ndeshjen më të rëndësishme ndonjëherë, jo vetëm për lidhjen që e kemi me Italinë në aspektin futbollistik, por edhe në aspekte tjera. Do të jetë ndeshje e veçantë. Shpresoj të kemi miqësi të mirë dhe t’i këndojmë himnet bashkë. Pres që gjysma e tifozëve në stadium të jenë shqiptarë. Do të jetë ndeshje e vështirë por edhe ne kemi ekip, edhe ne jemi në Kampionatin Evropian”, ka deklaruar Duka në një intervistë dhënë për “Sky Sports”.
Shqipëria luan me Italinë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit më 15 qershor. Më 19 qershor ballafaqohet me Kroacinë, kurse më 24 qershor takohet me Spanjën.