Ianis Hagi për kohë të gjatë është dashur të përballet me krahasimet me babanë e vet, legjendën rumune, Gheorghe Hagi.
Por në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjermani, Ianis Hagi po e ka shansin që të bëjë emër për vete.
Mesfushori 25-vjeçar kishte ndikim në barazimin 1:1 të Rumanisë me Sllovakinë në ndeshjen e fundit të Grupit E.
E fitoi penalltinë të cilën në gol e shndërroi Razvan Marin.
Rumania e fitoi Grupin E, ku të gjitha katër përfaqësueset i mblodhën nga 4 pikë. Tani në një të tetën e finales rumunët luajnë ndaj Holandës, më 2 korrik në Munih.
Holanda është paraqitur zbehtë deri më tani dhe Rumania shpreson të ketë ecuri të ngjashme me atë që kishte me legjendën Gheorghe Hagi, kur arriti deri në çerekfinale të Kupës së Botës në vitin 1994. Në çerekfinale Rumania ishte mposhtur nga Suedia.
30 vjet më parë trajner i ikonës Gheorghe Hagi ishte Anghel Iordanescu. Në Gjermani, Ianis Hagi po punon nën urdhrat e Edward Iordanescut, djalit të Anghelit. Është kjo një tjetër lidhje mes dy familjeve më të famshme të futbollit në Rumani.
Dy gjenerata, tri dekada në mes dhe shpresë për kapitull historik të Rumanisë.
“Kemi arritur synimin e parë. Të gjithë e dinë që kemi dashur të dalim nga grupi dhe pos kësaj kemi dashur të gëzojmë njerëzit, të bëjmë që ata të dalin në rrugë për të festuar, të jenë krenarë me këtë gjeneratë, me ekipin tonë”, ka thënë Ianis Hagi për PRO TV.
Ai është i matur lidhur me ndeshjen e një të tetës së finales
“Nuk i frikësohemi asnjë kundërshtari, por si gjeneratë jemi në turneun e parë final në nivelin e të rriturve. Kemi lojtarë me përvojë, por edhe të rinj me shumë entuziazëm dhe kualitet”, ka shtuar Ianis Hagi.
Gheorghe Hagi ka luajtur për Real Madridin dhe Barcelonën në karrierën impresive në nivel klubesh. E ka udhëhequr Steau Bukureshtin në finalen e Kupës Evropiane në vitin 1989, të cilën e humbi nga Milani.
Karriera e Gheorghe Hagit është dukshëm më e suksesshme se karriera e deritashme e Ianisit. Ai u zhvillua në akademinë e babait të vet, ndërsa Gheorghe ia mundësoi debutimin në moshën 16-vjeçare në kampionatin rumun. Më pas luajti për Fiorentinan në Itali, Genkun në Belgjikë dhe tani është te Rangersi në Skoci.
Pas një lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushës, Ianis Hagi kishte një edicion solid te skuadra spanjolle, Alaves. Ishte i huazuar për edicionin 2023/2024, ndërsa në 22 paraqitje i kishte dy asistime. Startoi në tetë prej këtyre 22 ndeshjeve.
Në “Euro 2024”, Ianis Hagi, ka nisur të bëhet më i njohur. Jo për shkak të mbiemrit të tij të madh, por për shkak të paraqitjes në fushë.