Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, i ka dalë në mbrojtje superyllit Kylian Mbappe, pas kritikave që i ka pranuar nga një numër i madh tifozësh për paraqitjet në “Euro 2024”.
Deschamps të dielën në një intervistë për televizionin francez “Telefoot” është shprehur se Mbappe dëshiron që të bëjë më shumë histori me Francën.
“A nuk mendoni se ai tashmë ka bërë mjaftueshëm histori, me atë që ka bërë deri tani? Ai dëshiron të bëjë edhe më shumë histori. Ne bëmë gjithçka që mundëm me stafin mjekësor që ai të ishte këtu. Gjatë përgatitjeve ai kishte gjithashtu një problem të vogël me shpinë. Pavarësisht nëse është ai apo një lojtar si Antoine Griezmann që është zëvendëskapiten, ata kanë bërë gjëra që shumica e lojtarëve nuk i kanë bërë”, deklaroi Deschamps.
Mbappe ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshje të zhvilluara me Francën në “Euro 2024”. Golin e realizoi ndaj Polonisë nga penalltia. Sulmuesi i ri i Real Madridit në Euro 2024 është duke u paraqitur me maskë.
Ai e theu hundën në ndeshjen e parë.