Euro 2024

Daliqi tregon çka nuk funksionoi te Kroacia ndaj Shqipërisë

Kroacia - Euro 2024

Selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq, doli në konferencë për shtyp të enjten paradite. Të mërkurën Kroacia luajti 2:2 me Shqipërinë dhe pas dy ndeshjeve e ka vetëm një pikë. Për të avancuar në fazën nokaut të Euro 2024, Kroacisë i duhet fitorja ndaj Italisë e po ashtu përshtatja e disa rezultateve të tjera.

“Kemi analizuar Shqipërinë, luan 5-4-1, lojtarët e saj qëndrojnë thellë në zonë. E kemi ditur që do ta kemi topin. Koncepti ishte që topi të vinte te Bruno Petkoviqi dhe që lojtarët të hyjnë në hapësirë. Kjo ishte ideja jonë. Kanë qëndruar në zonë, ne kemi llogaritur në pasime dhe depërtime”, ka thënë Daliq në fillim të konferencës.

Ai ka vlerësuar se lojtarët e Kroacisë nuk janë sa duhet agresivë dhe nuk qëndrojnë pranë lojtarëve kundërshtarë.

“Me Shqipërinë pranuam gol nga krosimi, që është dashur ta bllokojmë. Nuk jemi mirë në atë pjesë të lojës, lëshojmë shumë. Mungon agresiviteti dhe deri më tani atë nuk e kemi gjetur. Të gjithë golat i kemi pranuar shumë lehtë. Golin e dytë me Shqipërinë e pranuam nga gjysmë kundërsulmi”, ka shtuar selektori kroat.

Ka pasur kritika të shumta ndaj Daliqit dhe lojtarëve të Kroacisë pas barazimit me Shqipërinë. Kroacia ishte favorite e madhe. Në Botërorin 2018 ishte në finale, ndërsa në Botërorin 2022 u rendit e treta. Pra është njëra prej top-përfaqësueseve botërore.

Në Kroaci fajin më të madh për dështimin e deritashëm në Euro 2024 e adresojnë te selektori Zlatko Daliq. Ai thotë se është mësuar me kritika.

“Jam mësuar me kritika. Më shumë me to se me lavde, ndonëse ka pasur dukshëm më tepër suksese gjatë shtatë vjetëve të mia si selektor. Ky është realiteti, jam i gatshëm të përballem dhe ta pranoj. Kur humbim dhe luajmë keq, unë e marr përgjegjësinë. E di po ashtu që roli im është asgjë kur fitojmë medalje dhe se jam këtu rastësisht”, ka thënë Daliq.

Ai anuloi stërvitjen që e kishte planifikuar për të enjten në qendrën stërvitore në Neuruppin. E enjtja ishte e lirë për të gjithë lojtarët kroatë, që të premten nisin përgatitjet për ndeshjen vendimtare me Italinë. Ndërkohë Shqipëria luan ndeshje vendimtare me Spanjën.