Zvicra e inkurajuar nga paraqitja e saj në “Euro 2020”, tani do të kërkojnë të shkoj më tej në “Euro 2024” duke u mbështetur në përvojën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shqirit, shkruan “Daily Mail” të hënën. Zvicra kaloi në çerekfinale pasi eliminoi Francën, ndërsa humbi me penalti nga Spanja. Zvicra është në Grupin A të “Euro 2024” bashkë me mikëpritësin Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë. “Ka shumë përvojë në skuadrën e Zvicrës, e cilia duhet të jetë e dobishme gjatë turneut. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri e dinë se si është të luash në një turne të madh dhe sigurisht që nuk do të shqetësohen për asgjë”, shkruan sajti anglez.
Xhaka e Shaqiri kanë mbi 200 paraqitje për Përfaqësuesen e Zvicrës së bashku.
Shaqiri ka vetëm dy ndeshje më pak të luajtura sesa Xhaka me fanellën e përfaqësueses.
Kapiteni dhe mesfushori qendror, Xhaka, në 123 ndeshje të luajtura me Zvicrën ka shënuar 14 gola. Shaqiri ka kontribuuar me 30 gola në 121 ndeshje. Nga tetori i vitit të kaluar Xhaka është rekordmen për ndeshje të luajtura me Zvicrën.
Shaqiri me përfaqësuese ka marrë pjesë në katër kampionate botërore dhe dy kampionate evropiane. Ka shënuar në çdo kampionat të madh që nga viti 2014. Pritjet janë të mëdha që futbollisti i Chicago Fire të japë sërish kontribut të madh. Po ashtu, pritet shumë edhe nga Xhaka që pati rol kyç në suksesin e Bayer Leverkusenit, që fitoi titullin e kampionit, Kupën e Gjermanisë, ndërsa në finale të Ligës së Evropës humbi nga Atalanta.