Tri herë kampionia e Evropës, Spanja, do të përballet me Francën në Munih të martën, pas fitores dramatike ndaj Gjermanisë në vazhdime.
Transferimi i ri i Real Madridit, Kylian Mbappe, nuk ka shfaqur më të mirën në Kampionatin Evropian në Gjermani pasi e theu hundën në ndeshjen e parë të Francës. E ka vetëm një gol të shënuar nga penalltia. Megjithatë, ai mbetet futbollisti më i rrezikshëm i “Les Bleus”.
Një gjë të tillë e ka pranuar edhe mbrojtësi i majtë i Spanjës, Marc Cucurella.
“Futbolli është sport kolektiv dhe është e vërtetë se nëse do të ishin situatat një kundër një, do të ishte e vështirë. Por, kjo varet nga ne në fund”, ka thënë Cucurella në konferencën për shtyp të dielën.
“Përveç lojës së mirë me topin, ne jemi ekip që punon shumë. Ne japim gjithçka për njëri-tjetrin dhe mendoj se ky është çelësi i suksesit. Duhet të jemi të bashkuar, ta dimë se çfarë do të bëjmë në çdo moment, dhe mbi të gjitha, t’i minimizojmë kundërsulmet që janë arma më e fortë e Francës”, theksoi ai.
Cucurella ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë të Spanjës në këtë Evropian. Për njohës të futbollit ka qenë befasi, pasi ai nuk pati edicion të mirë me Chelsean.
Mbrojtësi i krahut të majtë para këtij viti ishte paraqitur vetëm një herë për Spanjën, por paraqitjet e tij në “Stamford Bridge” në muajt e fundit nisën të përmirësoheshin. Ai e shfrytëzoi më së miri rastin që iu dha dhe pas lëndimit të Jose Gayas së Valencias, e fitoi vendin e titullarit.
Për gjysmëfinalen ndaj Francës do të mungojë i suspenduari Dani Carvajal. Carvajal mori karton të kuq në vazhdimet ndaj Gjermanisë në fitoren 2:1.
Në mungesë të Carvajalit në krahun e djathtë të mbrojtjes mund të paraqitet 25-vjeçari Cucurella, aty ku ka luajtur në disa raste edhe te Chelsea.
“Do të mundohem ta jap më të mirën, të kontribuojë aq sa mundem. Ndihem rehat në krahun e majtë por do të mundohem ta jap më të mirën kudo për ekipin. E rëndësishme është të fitojmë dhe nuk ka rëndësi se kush luan. Shpresoj të jemi në finale të dielën”, deklaroi ai.
Cucurella ishte i përfshirë në momentin që bëri bujë kundër Gjermanisë, kur preku topin me dorë brenda në zonë pas gjuajtjes së Jamal Musialas.
“Nëse gjyqtari thotë se nuk është penallti, do ta respektoj atë”, ka thënë Cucurella.
“Në fund të fundit janë gjëra që ndodhin, këto janë vendime. Edhe Toni Kroos do të mund të ndëshkohej e të përjashtohej më pas. Futbolli është lojë me gabime dhe saktësi. Në fund, ne ishim më të saktë dhe e shënuam një gol më shumë dhe avancuam tutje”, ka theksuar Cucurella.