Dani Carvajal e Nacho janë vetëm lojtari i 11-të dhe i 12-të që kanë fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kampionëve në të njëjtën verë.
Ata i janë bashkuar një grupi elitar lojtarësh që i kanë fituar dy trofetë e mëdhenj brenda pak javësh.
Carvajal e Nacho fituan Championsin me Real Madridin dhe të dielën mbrëma iu gëzuan trofeut të Kampionatit Evropian me Spanjën.
Jorginho e kishte arritur këtë me Chelsean dhe Italinë në vitin 2021.
Për bazë merren vetëm lojtarët që janë aktivizuar në të dy finalet. Joselu, që ishte pjesë e Madridit në finalen e Championsit ndaj Borussia Dortmundit muajin e kaluar, ishte rezervist i pashfrytëzuar në finalen e Spanjës ndaj Anglisë, të dielën.
I pari që fitoi trofeun evropian për klube dhe për përfaqësuese në të njëjtën verë ishte Luis Suarez. Ai në vitin 1964 fitoi trofetë më të rëndësishëm me Interin e me Spanjën. Në vitin 1988 këtë e arritën Hans van Breukelen, Ronald Koeman, Berry van Aerle e Gerald Vanenburg me PSV Eindhovenin dhe Holandën.
Fernando Torres e Juan Mata festuan trofetë e mëdhenj me Chelsean dhe Spanjën në vitin 2012.
Cristiano Ronaldo e Pepe ishin pjesë e Real Madridit që fitoi Championsin në vitin 2016 dhe Portugalisë që fitoi Evropianin 2016, pak javë më pas.
Wim Kieft nuk është në listë. Ai kishte fituar Kupën Evropiane me PSV-në në vitin 1988, por ishte vetëm në stol në finalen e Holandës në Evropianin 1988. Për arsye të njëjtë në listë, sipas UEFA-s, nuk është as Nicolas Anelka, ish-sulmuesi i Real Madridit. Ai nuk ishte aktivizuar te Franca në finale të “Euro 2000”.
Bashkëlojtari i Anelkas, Christian Karembeu, ishte rezervist i pashfrytëzuar në të dy finalet e vitit 2000, Championsit dhe Evropianit. Karembeu ishte në fushë dhe fitoi finalen e Championsit dhe Kupën e Botës 1998.
Askush nuk e ka fituar Evropianin dhe Kupën e UEFA-s, që tani njihet si Liga e Evropës, në verën e njëjtë, që kur këtë në vitin 1996 e bënë yjet e Bayernit, Markus Babbel, Thomas Helmer, Thomas Strunz, Christian Ziege, Mehmet Scholl dhe Juergen Klinsman. Të gjithë këta e fituan Evropianin 1996 me Gjermaninë.