Xherdan Shaqiri është i domosdoshëm për Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Kështu ka vlerësuar mediumi i fuqishëm zviceran “Blick”, në një analizë për lojtarin kryesor ofansiv të helvetikëve.
Zvicra po bëhet gati për “Euro 2024”, ndërsa të martën mbrëma fitoi 4:0 në miqësore ndaj Estonisë.
Pas tri ditësh luan miqësore tjetër me Austrinë, ndërsa më 15 qershor e ka ndeshjen e parë në Evropian, ndaj Hungarisë.
“Asnjë lojtar i Zvicrës nuk është shfaqur më shumë se Xherdan Shaqiri në ngjarjet e mëdha. Ndaj Estonisë kishte shenja të rëndësishme që ai do të jetë gati për ekipin nacional në Gjermani”, shkruan “Blick”.
Shaqiri shënoi nga pika e bardhë ndaj Estonisë. Dhe atë vetëm në tentimin e dytë. Ishte goli i 31-të i Shaqirit në 122 paraqitje me Zvicrën. Por goli ishte i rëndësishëm për t’i ofruar 32-vjeçarit ndjenjë të mirë para Evropianit në Gjermani.
Ishin miqësoret në mars që dëshmuan se sa e varur është Përfaqësuesja e Zvicrës nga Shaqiri kur është fjala te shënimi i golave. Ai në momente ishte brilant, dhe momente të tilla i duhen Zvicrës në Gjermani.
Ka pasur shumë pyetje për nivelin e Shaqirit pasi ai u transferua në SHBA në dimrin e vitit 2022. Prej fillimit të këtij viti ai luajti vetëm 745 minuta për Chicagon. U paraqit në 12 ndeshje. Ritmi mund t’i mungojë, por Shaqiri mund të jetë më i freskët se lojtarët e tjerë të Zvicrës që kanë luajtur mbi 50 ndeshje gjatë edicionit tashmë të përfunduar.
“Distanca e vrapuar mund të jetë e shkurtër, pjesërisht për shkak të moshës, dhe pushimet mes paraqitjeve mund të jenë më të gjata. Por numri 23 është ende i domosdoshëm. Natyrisht, Estonia është rivale inferiore. Të flitet për shkëlqim do të ishte e ekzagjeruar. Por Shaqiri ishte një nga lojtarët më të rrezikshëm në fillimin e furishëm të ndeshjes. Kishte shansin e parë të mirë, pasoi dy herë te bashkëlojtarët dhe më pas e dërgoi topin në kokën e Fabian Scharit te goli për 3:0”, ka shkruar gazeta zvicerane.
Shaqiri e ka vlerësuar paraqitjen ndaj Estonisë.
“Kemi fituar ndeshjen, kemi luajtur mirë, nuk kemi pranuar gol. Ishte ditë e mirë”, ka thënë Shaqiri, shkruan mediumi “20 Minuten”.
“Nuk kemi shënuar katër gola për kohë të gjatë, është ndjenjë e mirë. Mund të vazhdojmë kështu, ndonëse kundërshtarët janë më të fortë”.