Euro 2024

Bellingham e Kane ia sigurojnë kualifikimin dramatik Anglisë

Bellingham - Kane

Foto: Associated Press

Bellingham e Kane ia sigurojnë kualifikimin dramatik Anglisë

 

Gelsenkirchen, 30 qershor -  Me shumë mund, Anglia ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Evropian në Gjermani.

Të dielën pasdite në Gelsenkirchen, Anglia fitoi 2:1 ndaj Sllovakisë, por vetëm pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.

Në fakt Sllovakia ishte me një këmbë në çerekfinale. Por anglezët të frymëzuar nga supergoli i Jude Bellinghamit bënë rikthimin shumë dramatik.

Ylli i ri anglez shënoi supergol me goditje gërshërë për të barazuar rezultatin në 1:1. Për më tepër goli  i Bellinghamit u shënua në minutën e 95-të, kur tifozët sllovakë vetëm po bëheshin gati për festë.

Me rezultatin 1:1 përfundoi koha e rregullt.

Me të nisur vazhdimi i parë, në minutën e 91-të, kapiteni anglez, Harry Kane, shënoi gol të bukur me kokë për 2:1. Dhe shifrat më nuk ndryshuan.

Anglia në çerekfinale përballet me Zvicrën më 6 korrik.

Sllovakia kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 25-të. Ivan Schranz shënoi gol me goditje nga zona pas një aksioni të bukur të sllovakëve. Sllovakia më pas mbajti epërsinë, por vetëm deri në minutën e 95-të.

Në fakt në pjesën e parë anglezët ishin thuajse jashtë loje. Reaguan në pjesën e dytë dhe ia dolën të kthejnë ndeshjen në favor të tyre. Kishin një gol të anuluar, një shtyllë e shumë raste para se Bellingham të dal në skenë me supergolin.

Pas golit për 2:1, anglezët ia dolën të mbajë epërsinë deri në fund, ndonëse sllovakët kishin disa raste të rrezikshme.

Anglia vlerësohet prej favoriteve për të triumfuar në Evropian, sidomos pasi në kampionatin e kaluar kontinental ishte në finale. Por në tri ndeshjet e fazës grupore dhe të dielën ndaj Sllovakisë ka shfaqur dukshëm më pak se që tifozët presin prej saj.

Anglia është në kërkim të trofeut të parë të madh që nga viti i largët 1966.

Sllovakët, ndonëse ishin pranë befasisë së madhe ndaj Anglisë, nga Gjermania mund të largohen me kokën lartë. Për Sllovakinë sukses i madh është kalimi i grupit. Por sigurisht sllovakët do të analizojnë gjatë se çka nuk bënë si duhet në minutat shtesë që i lanë pa vend në mesin e tetë përfaqësueseve më të mira evropiane.

“Ishim 30 sekonda larg kthimit në shtëpi”

9 muaj më parë / 30 qer 2024 20:57
Jude Bellingham

Jude Bellingham

Ishim vetëm 30 sekonda para kthimit në shtëpi, me ndjenjën e dëshpërimit të gjithë shtetit, ka thënë pas ndeshjes mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham.

Bellingham, i cili u shpall futbollisti më i mirë i ndeshjes ndaj Sllovakisë pas golit të barazimit 1:1, shtoi se është shumë i lumtur me suksesin.

“Ishim 30 sekonda larg kthimit në shtëpi, dhe kishim ndjenjën se e kemi dëshpëruar gjithë shtetin. Dhe një goditje e topit ktheu gjithçka në të mirën tonë. Është një ndjenjë në të cilën unë nuk dua të jem, por kur vijnë situata të tilla, është gjithmonë gjë e bukur. Të luash për Anglinë është gjë e bukur por ka edhe shumë presion. Por kur je në fushë dhe shënon gola, je më rehat. Ky është moment shumë i bukur”, ka thënë Bellingham, shkruan UEFA.

Pa befasi sa i takon më të mirit të ndeshjes

9 muaj më parë / 30 qer 2024 20:51
Jude Bellingham

Jude Bellingham është lojtari më i mirë i ndeshjes mes Anglisë dhe Sllovakisë.

Kështu kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

“Për shkak të kontributit të tij të përgjithshëm dhe golit që mbajti Anglinë në turne. Ai shfaqi aftësi të mëdha të liderit për të bërë që ekipi anglez të besojë”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

Kaneeeeee

9 muaj më parë / 30 qer 2024 20:03
Kane

Harry Kane e ka kaluar në epërsi Anglinë, 2:1.

Kane shënoi me të nisur pjesa e parë e vazhdimeve dy herë nga 15-të minuta.

Angli – Sllovaki shkon në vazhdime

9 muaj më parë / 30 qer 2024 20:00
Angli - Sllovaki

Çerekfinalisti i ndeshjes ndërmjet Anglisë dhe Sllovakisë do të vendoset pas vazhdimeve dy herë nga 15-të minuta.

Në rast se rezultati nuk ndryshon, do të ekzekutohen penalltitë.

Supergol nga Bellingham

9 muaj më parë / 30 qer 2024 19:55
Anglia

Jude Bellingham ka shënuar supergol në barazimin e jashtëzakonshëm të Anglisë ndaj Sllovakisë.

Bellingham në mënyrë akrobatike i barazoi shifrat në minutën e pestë të kohës shtesë.

Anglia ende në kërkim të barazimit

9 muaj më parë / 30 qer 2024 19:42
Anglia - Sllovakia

Photo: Associated Press

Anglia është hedhur në sulm në kërkim të golit të barazimit në ndeshjen ndaj Sllovakisë.

Ndonëse ka krijuar disa raste, Anglia nuk ka shënuar ende. Declan Rice qëlloi shtyllën, ndërsa Harry Kane humbi rast shumë të mirë.

Anglia shënon, por ndërhyri VAR-i

9 muaj më parë / 30 qer 2024 19:12
Anglia

Goli i Anglisë në minutën e 50-të i shënuar nga sulmuesi Phil Foden është anuluar për pozitë jashtë loje.

Foden ishte më i avancuar kur pranoi topin nga Kieran Trippier.

Sllovakia në epërsi pas pjesës së parë

9 muaj më parë / 30 qer 2024 18:50
Sllovakia

Sllovakia po udhëheq 1:0 ndaj Anglisë pas pjesës së parë të ndeshjes në Gelsenkirchen.

Ivan Schranz e realizoi golin në minutën e 25-të.

Ai shënoi pas një aksioni të bukur të sllovakëve. Anglezët kanë pasur telashe të mëdha në pjesën e parë, njëjtë si në ndeshjet e deritashme të Evropianit në Gjermani.

Sllovakia shokon Anglinë

9 muaj më parë / 30 qer 2024 18:26
Anglia - Sllovakia

Sllovakia ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Anglisë.

Ivan Schranz realizoi në minutën e 25-të.

Sllovakia po i shkakton shumë telashe Anglisë

9 muaj më parë / 30 qer 2024 18:15
Sllovakia

Photo: Associated Press

Anglia e Sllovakia po takohen në ndeshjen e tretë të një të tetës së finales.

Në Gelsenkirchen, sllovakët tashmë kanë krijuar disa raste të rrezikshme.

Ndërkohë Anglia vazhdon të ketë telashe për të shfaqur më të mirën.