Fitorja e Sllovakisë ndaj Belgjikës ishte prej befasive më të mëdha në pjesën e deritashme të Euro 2024. Belgët mbetën të shokuar nga humbja 1:0, ndërsa shpresojnë të kthehen në rrugën e duhur në takimin ndaj Rumanisë.
Ndeshja Belgjikë – Rumani zhvillohet të shtunën prej orës 21:00 në Koeln. I takon grupit E.
Rumania është në pozitë dukshëm më të mirë pas fitores 3:0 ndaj Ukrainës.
Të premten Ukraina fitoi 2:1 ndaj Sllovakisë dhe kështu grupi është shumë i hapur. Por belgët nuk e kanë komoditetin të humbin tjetër ndeshje.
Me fitore eventuale, Rumania avancon në fazën nokaut, ndërsa me shumë gjasë do t’i mjaftojë edhe barazimi.
Romelu Lukaku ishte shumë aktiv në ndeshjen e parë të belgëve, por pa realizuar. Sulmuesit të fuqishëm në fakt iu anuluan dy gola pas rishikimit të VAR-it.
“Është përfaqësuesja numër tre në botë, me lojtarë të shkëlqyer dhe Belgjikës vërtetë i duhet rezultati. Për ne është përvojë e jashtëzakonshme. Duhet të organizohemi që të jemi të saktë, të jemi efikas dhe të kemi momentet e lojës së mirë. Duhet të luajmë futbollin që dimë të luajmë”, ka thënë selektori i Rumanisë, Edi Iordanescu.