Në një rrëfim për mediumin e fuqishëm britanik BBC, selektori i Shqipërisë, Sylvinho, foli për kualifikimin në Evropian, golat e bukur nga distanca, se si e zbuloi Jasir Asanin, ndryshimin e formacionit, vendosjen në Tiranë e shumë gjëra të tjera
Sylvinho nuk ka mundur ta imagjinonte kurrë se do të ulej para një laptopi dhe do të merrte shënime nga ndeshjet e Wycombe Wanderers në League One (niveli i tretë i futbollit në Angli).
Pas një darke me presidentin e Federatës shqiptare të Futbollit në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt u pajtua të marrë drejtimin e Shqipërisë. Herët në vitin 2023, braziliani arriti në zyrën e tij në Tiranë, së bashku me ish-lojtarin e Cityt dhe West Hamit, Pablo Zabaleta dhe ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva, si asistentë të tij.
Gjithsej ata shikuan 240 incizime të ndeshjeve për të bërë një listë fillestare prej 70 lojtarësh. Më pas lista u reduktua në 39 emra e më pas në 23 për ndeshjen e parë të kualifikimeve për Euro 2024 ndaj Polonisë.
Në mesin e tyre ishte edhe lojtari i krahut i Wycombes, Anis Mehmeti. Ai nuk kishte luajtur deri atëherë për të rriturit e Shqipërisë, por u ftua nga Sylvinho si pjesë e procesit të rindërtimit, të nisur nga dita e parë.
“Zabaleta ka luajtur gjatë në Angli, kështu që ende i ka kontaktet e tij atje dhe na ofroi disa informacione për Mehmetin”, ka thënë Sylvinho për BBC Sport.
“Ne filluam ta shikojmë atë në League One, por menjëherë më pas ai firmosi për Bristol Cityn në Championship. Kjo na bëri të mendojmë që potencialin që po e shohim tek ai, po e shohin edhe të tjerët. Ne e kemi ditur se ka shumë shqiptarë si ai që luajnë jashtë vendit”, ka shtuar Sylvinho.
Kjo punë e madhe u shpagua.
Përkundër humbjes 1:0 nga Polonia në ndeshjen e parë kualifikuese, Shqipëria vazhdoi e pamposhtur më pas deri në fund të kampanjës. E fitoi grupin dhe siguroi kualifikimin në Evropian një ndeshje para fundit.
Kjo arritje bëri që Sylvinho të jetë hero lokal.
Do të jetë vetëm hera e dytë në histori që “shqiponjat” do të jenë në Evropian. Debutuan në vitin 2016.
“Jetoj në një hotel që është rreth 2 kilometra larg ndërtesës së federatës. Kështu që ndonjëherë eci përgjatë parkut të bukur dhe takohem me tifozët. Ata zakonisht vijnë tek unë dhe më thonë ‘Respekt Mister’”, thotë 50-vjeçari Sylvinho duke qeshur.
Nuk do të jetë e lehtë në Gjermani. Shorti ka vënë Shqipërinë në grup me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
“Nuk shkojmë atje për kënaqësi. Puna jonë nuk ka mbaruar dhe nëse kemi ndonjë shans për të avancuar në fazën nokaut, ne do të luftojmë për të në mënyrën e njëjtë që e bëmë në kualifikime”, thotë Sylvinho.
Mst: Gjetja e lojtarit të përkryer të krahut në ligën e Koresë së Jugut
Sylvinho kishte punuar si asistent te Brazili nga korriku i vitit 2016 deri në prill të vitit 2019. Kështu që futbolli ndërkombëtar nuk është i huaj për të. Por përvoja e mëhershme ishte krejt ndryshe nga ajo aktuale.
Një prej vendimeve të para të tij ishte të ndryshojë formacionin 3-5-2 dhe të kalojë në sistemin 4-3-3.
Por ishte vetëm një çështje me të cilën nuk ishte përballur te Brazili. I duhej një lojtar që luan me këmbë të majtë për krahun e djathtë që sistemi të funksiononte. Por thjesht nuk e kishte një të tillë.
Kështu që Sylvinho dhe stafi i tij u “zhytën” në bazën e të dhënave të federatës për të shikuar për lojtar me këto karakteristika. Në fund u veçuan dy emra, njëri prej tyre i 29-vjeçarit Jasir Asani, që luan në Kore të Jugut.
“Ne po shikonim video të kohës së tij në Hungari dhe unë pyeta ‘kush është ky?’. Ai i kishte të gjitha që i kërkonim: ishte i shkëlqyer në lojën një kundër një, mund të godiste mirë dhe ishte i shpejtë”, jep detaje Sylvinho.
“Kështu që për disa të shtuna rresht duhej të shkonim në zyrë në ora nëntë në mëngjes për të parë ndeshjet e tij për shkak të dallimit në kohë”.
Në fund kjo ishte e vlefshme.
Asani doli të ishte goditje shumë e qëlluar. Lojtari i lindur në Maqedoni të Veriut kishte ndikim shumë të madh dhe përfundoi kualifikimet me tri gola dhe dy asistime.
Mst: “Ata dinë si të godasin topin nga distanca”
Sylvinho beson fuqishëm se asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur sikur mos të linte familjen e tij në porto dhe të vendosej në dhomën e hotelit në Tiranë.
“Ata më thanë se e kuptuan që do të funksionojë në momentin kur unë njoftova se dua të qëndroj në Tiranë. Më ka mundësuar të kuptoj plotësisht identitetin lokal dhe të jem 100 për qind i fokusuar në punë”, thotë trajneri, në takimet e të cilit kryesisht flitet në italishte.
Stili i tij agresiv në sulm ka impresionuar edhe tifozët më skeptikë. Po ashtu edhe ekspertët që nuk ishin të bindur nga përvojat e kaluara të Sylvinhos te Lyoni dhe Corinthiansi.
Shqipëria bëri bujë sidomos për disa prej golave shumë të bukur që i realizoi rrugës për në Gjermani.
“Ata vërtet dinë si të godasin topin nga distanca. E kanë në veten e tyre dhe e duan. Kështu që unë i inkurajoj ta bëjnë këtë”, thotë Sylvinho.
“Nëse ndjejnë se është gjëja më e mirë për të bërë, atëherë le të godasin drejt portës”.