Mesfushori i Interit, Nicolo Barella do të jetë në gjendje të paraqitet për përfaqësuesen e Italisë në ndeshjen hapëse të “Euro 2024”, ndaj Shqipërisë.
Përzgjedhësi i Italisë Luciano Spalletti të premten në konferencë për shtyp ka thënë se Barella është i gatshëm për ndeshje, pasi i ka tejkaluar problemet muskulore.
“Dje ai bëri gjithçka, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë sot. Do të shohim se si ndihet ai. Por që nga mbrëmja e djeshme, gjithçka sugjeron se ai do të jetë i disponueshëm për përzgjedhje”, është shprehur Spalletti.
Barella i humbi dy miqësoret e fundit të Italisë për shkak të disa problemeve muskulore. 65-vjeçari tutje ka theksuar se ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë shumë e vështirë.
“Vetë loja është e ndërlikuar. Jam dakord që Slyvinho ka bërë një punë të shkëlqyer në ndërtimin e këtij ekipi dhe ne jemi kundër lojtarëve që kanë cilësi dhe e njohin shumë mirë stilin tonë të futbollit, ata e kanë treguar atë në ligën tonë. Do të jetë një ndeshje e vështirë”, theksoi Spalletti.
Të shtunën, prej orës 21:00, në Dortmund, do të takohen Shqipëria dhe Italia.