Austria e Turqia takohen në ndeshjen e fundit të një të tetës së finales në Euro 2024. Ndeshja zhvillohet të martën prej orës 21:00 në Leipzig.
Austria nuk ka luajtur asnjëherë në çerekfinale të Evropianit, ndërsa duhet ta kalojë Turqinë e papërshtatshme për të arritur atje.
Austriakët kanë shkëlqyer në fazën grupore duke u renditur para Francës e Holandës. Fituan 3:1 ndaj Polonisë dhe 3:2 ndaj Holandës, ndërsa pësuan humbje pafat ndaj Francës.
Edhe Turqia i kishte dy fitore, por që i mjaftuan për vendin e dytë në Grupin F. Turqit fituan 3:1 ndaj Gjeorgjisë dhe 2:1 ndaj Çekisë, kurse humbën 3:0 nga Portugalia.
Turqia do të jetë pa kapitenin Hakan Çalhanoglu në ndeshjen e një të tetës së finales.
Turqia ishte në gjysmëfinale në Euro 2008, ndërsa synon tjetër rrugëtim të tillë. Por përfaqësuesja e drejtuar nga Vincenzo Montella vuajti për fitoren ndaj Çekisë që mbeti herët me dhjetë lojtarët.
Pos Çalhanoglut te Turqia i suspenduar është edhe Samet Akaydin. Mbrojtësi Patrick Wimmer i mungon Austrisë.
Në mars, Austria e Turqia luajtën miqësore në Vjenë. Austriakët fituan 6:1.
“Do të jemi pa dy lojtarë. Do të jemi pa kapitenin tonë që është i pazëvendësueshëm. Ai ka luajtur shumë mirë, njëjtë si Sameti. Janë mungesa vendimtare”, ka thënë selektori i Turqisë, Montella.
Turqia pritet të ketë përkrahje të zjarrtë në stadium. Por në përkrahje të madhe llogarit edhe Austria.
Austria i ka fituar nëntë prej 17 ndeshjeve të kaluara me Turqinë. Turqia i ka shtatë fitore, ndërsa një ndeshje përfundoi baras.
Të gjithë gjashtë golat e Austrisë në Euro 2024 u shënuan nga lojtarë të ndryshëm.
“Austria është ekip i fortë që bën shumë presion. Në miqësoren e marsit nuk kemi mundur t’i përgjigjemi presionit të austriakëve. E shoh si një ndeshje tjetër e jo mundësi për revanshim. Duam të fitojmë këtë ndeshje. Duhet të eliminojmë Austrinë dhe të ecim para”, ka thënë mbrojtësi i Turqisë, Zeki Çelik.
“Ekipi e di shumë mirë që pavarësisht me kë luajmë, nëse japim më të mirën mund të fitojmë. Mund të fitojmë ndaj të gjithëve. Lojtarët janë me dy këmbët në tokë dhe e dinë saktësisht se çka është e rëndësishme. Energjia që ofrojmë në fushë është ajo që na ka bërë ekip të veçantë deri më tani”, ka thënë selektori austriak, Ralf Rangnick.