Mesfushori i Interit, Kristjan Asllani dhe mbrojtësi i Clujit, Arlind Ajeti mezi presin paraqitjen me Shqipërinë në Kampionatin Evropian që mbahet në Gjermani. Dy futbollistët të enjten thanë se gjithmonë është një emocion i madh ftesa nga Shqipëria.
Asllani ka thënë se përballja ndaj Italisë do të jetë emocionuese. Shqipëria bashkë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën janë në Grupin B të “Euro 2024”. Evropiani nis më 14 qershor, ndërsa përfundon më 14 korrik.
“Është një emocion i madh sa herë të thërret Kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”- tha fillimisht mesfushori kuqezi, i cili shtoi se tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mbështetja do të jetë maksimale edhe në Gjermani”, ka thënë Asllani për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Para përballjes më 15 qershor ndaj Italisë, Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore. Ndeshjen me Lihtenshtajnin e zhvillon më 3 qershor prej orës 20:00, ndërsa kundër Azerbajxhanit më 7 qershor nga ora 19:00.
Por Asllani dhe lojtarët e tjerë mendjen e kanë në Gjermani. Presin mbështetje masive nga shqiptarët në tribunat e stadiumeve të Gjermanisë.
“Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kur kemi ata, jemi një lojtar më shumë në fushë dhe kjo është gjëja kryesore. Ne i presim dhe shpresoj që të na mbështesin si gjithmonë. Dua ta luaj ndeshjen me Italinë, kam shumë shokë dhe pastaj kam jetuar në Itali. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar”, është shprehur Asllani.
Për Asllanin është hera e parë që do të paraqitet në Evropian. Por jo edhe për Ajetin. Evropiani në Gjermani për Ajetin është i dyti.
“Emocionet janë vështirë të përshkruhen, por dua të them që sa herë më thërret Kombëtarja jam gjithmonë i lumtur. Evropiani është diçka shumë e veçantë dhe mezi presim që të fillojë. Kemi shumë lojtarë me cilësi dhe pothuajse të gjithë luajnë në ekipe të mëdha. Kjo mendoj që është diferenca nga viti 2016. Gjithsesi angazhimi, motivimi në Kombëtare është gjithmonë në maksimum”, ka thënë Ajeti.
Shqipëria është duke i zhvilluar përgatitjet e para në shtëpinë e futbollit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ajeti ka theksuar se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe se të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.
“Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Evropian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin”, ka shtuar Ajeti.
Asllani dhe Ajeti pritet të përfshihen edhe në listën përfundimtare të Shqipërisë. Listën përfundimtare me emrat e 26 lojtarëve, përzgjedhësi i Shqipërisë duhet ta dorëzojë më 7 qershor.