Sulmuesi Jasir Asani ka thënë se do t’i shënojë gol Italisë dhe ka shtuar se Shqipëria në Evropianin e këtij viti në Gjermani, do të jetë befasia e turneut.
Një gjë të tillë, Asani e ka thënë të mërkurën në një intervistë dhënë për “TV Klan”.
Shqipëria më 3 dhe 7 qershor luan miqësore kundër Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit, ndërsa turneun e “Euro 2024” e nis kundër Italisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit më 15 qershor.
Në Grupin B janë edhe Kroacia dhe Spanja.
Kundër Kroacisë, Shqipëria luan më 19 qershor, ndërsa ndaj Spanjës luan më 24 qershor.
“Skuadra jonë ka mentalitet fituesi. Nuk është rastësi që kemi ardhur në Evropian dhe duhet ta bëjmë befasinë më të madhe. Duhet t’i tregojmë të gjithë botës që me të vërtetë kemi lojtarë shumë të mirë dhe staf shumë të mirë. Pse të mos e kalojmë grupin? Besoj se me tifozët mund t’ia dalim që në ndeshjen e parë. Shumë më pyesin se a do të shënosh ndaj Donnarummas, Kroacisë apo Spanjës. E kam një ndjesi që do të shënojë kundër Italisë dhe besoj se do të bëjmë gjëra të mëdha atje”, ka deklaruar Asani.
Asani 29-vjeçar është anëtar i skuadrës Gwangju në elitën e futbollit të Koresë së Jugut.