Ollie Watkins hyri në lojë në minutën e 81-të. E zëvendësoi kapitenin e Anglisë, Harry Kane.
Dhe Watkins ishte vendimtar në kualifikimin e Anglisë në finale të Euro 2024.
Në gjysmëfinalen ndaj Holandës, të mërkurën mbrëma në Dortmund, Watkinsi shënoi golin e fitores 2:1. Në minutën e 91-të ai gjuajti shumë bukur nga zona dhe realizoi për fitoren e madhe.
Goli i Watkinsit u shënua kur pritej që ndeshja të shkonte në vazhdime.
Ndeshja ishte e denjë për gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. Dhe fitues i saj pos Anglisë e Watkinsit është edhe selektori anglez, Gareth Southgate, shumë i kritikuar deri më tani. Ai bëri zëvendësimet që dolën të jenë vendimtare. Dhe tani Southgate fillon punën për ta përgatitur përfaqësuesen për finalen e madhe.
Holanda kaloi në epërsi 1:0 në minutën e shtatë. Xavi Simons shënoi supergol me goditje nga distanca.
Për 1:1 shënoi kapiteni i Anglisë, Harry Kane, në minutën e 18-të. Ai realizoi nga pika e bardhë. Penalltia u dha me ndërhyrje të VAR-it. U vlerësua se Kane u pengua gjatë një goditje nga mbrojtësi holandez, Denzel Dumfries. Kane mori përgjegjësinë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Pak minuta më pas Dumfries shpëtoi Holandën, kur ndali në vijën e portës topin e goditur nga Phil Foden. Më pas Dumfries qëlloi traversën me goditje me kokë, kurse topin në shtyllë e dërgoi edhe Fodeni.
Rezultati pas pjesës së parë megjithatë mbeti 1:1.
Në pjesën e dytë iniciativën kryesisht e kishte Holanda. Në minutën e 65-të portieri anglez Jordan Pickford bëri pritje vendimtare. Më pas Anglia dërgoi topin në rrjetë, por u sinjalizua pozitë jashtë loje.
Fare në fund në skenë doli Watkins që shënoi për fitoren dhe festën e madhe të anglezëve.
Të dielën në finale, Anglia përballet me Spanjën. Anglezët janë në kërkim të trofeut të parë të madh që nga viti 1966. Deri në gjysmëfinale nuk kanë bindur. Por duket se më të mirën e kanë ruajtur për fazën finale të kampionatit.
Watkins, më i miri i ndeshjes
Ollie Watkins luajti vetëm prej minutës së 81-të në fitoren e Anglisë ndaj Holandës.
Por mjaftueshëm sa për ta vendosur sfidën gjysmëfinale. Dhe në fund u shpall më i miri i ndeshjes.
Vendimin e mori komisioni i ekspertëve të UEFA-s.
“Ai kishte ndikim të madh me golin e shkëlqyer individual”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.
Watkinssssssss, Anglia në epërsi
Ollie Watkins ka shënuar supergol për epërsinë 2:1 të Anglisë ndaj Holandës.
Ai shënoi në minutën e 91-të.
OLLIE WATKINS WHAT A GOAL ENGLAND 2-1 pic.twitter.com/L3VpETzrNt
— WolfRMFC (@WolfRMFC) July 10, 2024
Superndeshje në Dortmund, 1:1 pas pjesës së parë
Holanda e Anglia po luajnë superndeshje në Dortmund.
Pas pjesës së parë rezultati është 1:1. Të dy përfaqësueset kanë goditur edhe shtyllat.
Kush do t’i bashkohet Spanjës në finalen e madhe të Evropianit do të vendoset në pjesën e dytë, apo në vazhdime ose penallti.
Çfarë ndeshje, tjetër shtyllë
Holanda e Anglia po luajnë superndeshje.
Menjëherë në minutën e 32-të shtyllën me goditje nga distanca e qëlloi Phil Foden. Në minutën e 30-të topin në shtyllë e dërgoi edhe Holanda.
Holanda godet traversën
Denzel Dumfries vazhdon të jetë protagonist. Ai shkaktoi penallti, shpëtoi gol dhe tani goditi shtyllën.
Mbrojtësi holandez gjuajti fuqishëm me kokë në minutën e 30-të. Ishte larg, por goditja e fortë përfundoi në traversë.
Rezultati mbetet 1:1.
Dumfries shpëton Holandën
Anglia i është afruar golit të dytë në ndeshjen ndaj Holandës.
Phil Foden gjuajti nga afërsia në minutën e 23-të, por Denzel Dumfries largoi topin nga vija e portës.
Rezultati mbetet 1:1.
Barazon Anglia, Kane shënon nga pika e bardhë
Harry Kane ka shënuar nga penalltia për të barazuar rezultatin në 1:1 në ndeshjen mes Holandës dhe Anglisë.
Ai shënoi në minutën e 18-të.
Penalltia u dha pas rishikimit të VAR-it për ndërhyrje në Kanen nga Dumfries.
Tjetër supergol, Holanda në epërsi
Xavi Simons ka kaluar në epërsi 1:0 Holandën ndaj Anglisë.
Simons shënoi supergol me goditje nga distanca.
Holanda – Anglia, publikohen formacionet zyrtare dhe ka ndryshime
Holanda dhe Anglia do të luajnë nga ora 21:00 në “Signal Iduna Park” të Dortmundit për një vend në finale.
Në finale do të ballafaqoheshin me Spanjën që të martën e eliminoi Francën.
Formacioni i Holandës:
Verbruggen, Dumfries, De Vrij, Van Dijk (C), Ake, Schouten, Simons, Reijnders, Malen, Depay, Gakpo
Holanda e ka bërë vetëm një ndryshim nga dy ndeshjet e kaluara të fazës nokaut. Malen është titullar para Steven Bergwijnit.
Formacioni i Anglisë:
Pickford, Guehi, Stones, Walker, Trippier, Rice, Mainoo, Saka, Bellingham, Foden, Kane (C)
Anglia e ka bërë vetëm një ndryshim nga ndeshja him nga ndeshja çerekfinale ndaj Zvicrës.
Marc Guehi e zëvendëson Ezri Konsan në qendër të mbrojtjes, pasi e ka përfunduar suspendimin.
Pjesa tjetër e 11-shes mbetet e njëjta me atë që triumfoi ndaj Sllovakisë në një të tetën e finales.
Luke Shaw dhe Trent Alexander-Arnold kanë mbetur në bankën rezervë.
Konfirmohet: 110,000 tifozë holandezë në Dortmund
Federata e Futbollit e Holandës ka shkruar se janë 110,000 tifozë holandezë në Dortmund.