Euro 2024

Anglia vazhdon të mos e ketë të gatshëm mbrojtësin e majtë

Luke Shaw

Luke Shaw nuk ka stërvitur me skuadrën e Anglisë dhe pritet të mos luajë fare në Kampionatin Evropian për shkak të lëndimit, ka shkruar “Goal” të shtunën. 

Mbrojtësi i krahut të majtë që luan për Manchester Unitedin, ishte i përfshirë në listën e 26 futbollistëve anglezë për Evropianin 2024.

Për pjesën më të madhe të edicionit 2023/24, ai nuk luajti për “djajtë e kuq” shkaku i lëndimit.

Por, selektori Gareth Southgate e ka marrë atë me vete në Gjermani për në Evropian.

Megjithatë, ai ende nuk ka arritur që të jetë i gatshëm për të luajtur, pasi nuk ka stërvitur me skuadrën në Blankenhain.

Në mungesë të tij, Kieran Trippier, që është mbrojtës i krahut të djathtë, pritet të jetë titullar edhe për duelin e radhës.

Southgate është kritikuar shumë për paraqitjet e Anglisë në “Euro 2024”, në fitoren kundër Serbisë dhe në barazimin me Danimarkën.

Ndeshjen e radhës, Anglia e luan kundër Sllovenisë të martën nga ora 21:00.